De Biazi: I njoh pikat e forta të Armenisë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, tha gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve armene, Armenpress.am se i njeh tashmë pikat e forta të Armenisë. Ai vlerësoi yllin e skuadrës, Mhkitarjan, por theksoi se forca e kundërshtarit qëndron tek ekipi. Sipas De Biazit, Portugalia dhe Danimarka do të zënë vendet e para dhe do të shkojnë direkt në finalet e Euro 2016, ndërsa Shqipëria, Armenia dhe Serbia do të luftojnë fort midis tyre për të zënë vendin e tretë në grupin I. Ndeshja midis Shqipërisë dhe Armenisë do të luhet, më 29 mars në “Elbasan Arena”. Kjo është ndeshja e parë e vitit 2015 dhe e katërta midis dy vendeve, teksa në tri të parat ekuilibri është i plotë, nga një fitore secila dhe një barazim. Kjo është ndeshja e katërt e Kombëtares në eliminatoret e “Francë 2016”, pas atyre me Portugalinë në Averio (0-1), Danimarkën në Elbasan (1-1) dhe ndeshjes së ndërprerë me Serbinë në Beograd (e humbur 3-0 në tavolinë).

Zoti De Biazi, çfarë dini për ekipin Kombëtar të Futbollit të Armenisë?

Unë e njoh mjaft mirë Kombëtaren e Armenisë. Ka bërë një ekip të mirë! Në këto kualifikuese nën drejtimin e trajnerit Berndard Shaland ka ndryshuar sistemin e lojës. Ka lojtarë të mirë dhe ka një yll si Mkhitarjan.

Cilin nga futbollistët do të veçonit nga ekipi armen?

Mendoj se Mhkitarjan është lojtari më i mirë, por është ekipi fuqia reale. Në të gjitha ndeshjet që ka luajtur, ata kanë treguar në fushë shumë cilësi, dhe ata kanë humbur gjithmonë për një gol.

Cilat janë parashikimet tuaja për ndeshjen e ardhshme midis Shqipëria dhe Armenisë në muajin mars?

Unë e di se do të jetë një ndeshje e fortë për ne, por ne dëshirojmë të përfitojmë avantazh nga faktori fushë.

A i keni parë ndeshjet Danimarkë-Armeni, Armeni-Serbi dhe Portugali-Armeni? Cili është opinioni juaj për ato ndeshje?

Sigurisht! Kanë qenë ndeshje shumë të mira dhe në shtëpi kundër Serbisë, Armenia meritonte të fitonte. Edhe kundër Portugalisë ajo luajti shumë mirë. I njëjti gjykim vlen edhe për ndeshjen e parë kundër Danimarkës.

Sipas mendimit tuaj, cilat nga skuadrat e grupit I të Euro 2016 janë favorite?

Mendoj se, Portugalia dhe Danimarka do të shkojnë në Francë. Për vendin e tretë do të jetë një betejë e fortë midis tre ekipeve të tjera.

Intervistoi: Varvara Hayrapetyan, Syune Barseghyan