Në fillimin e një vere të nxehtë, më 16 qershor të 1956, në Sarmede-n e bukur, të provincës së Treviso-s, lindi nga nënë Bruna e baba Girolamo, që i thërrisnin “momo”, vogëlushi Giovannino.
Nga mezi i viteve ’50, ndodhte shpesh që në fshatrat e vegjël, gratë lindnin në shtëpi e nëna ime nuk e shkeli rregullin. Ishin vite të vështirë, nuk ishte ende boom-i i atyre viteve që do të sillnin mrekullinë e “verilindjes”.
Mjaft do të emigronin jashtë vendit në kërkim të një fati më të mirë, kush në Gjermani e kush në Francë, madje kishte nga ata që shkuan përtej oqeanit.
Familja ime kishte një dyqan me mallra të ndryshëm në qendër të fshatit, e gjyshja ime Roza bashkë me tezen, ku herë-herë ndihmonte edhe nëna ime, e mbanin me mundime.
Babai im punonte në fabrikën “Doria” që ndodhej në fshatin tonë, po që më vonë, për arsye logjistike, u trasferua në një tjetër fshat aty afër. Gjyshi im merrej me tregëtinë e kafshëve kryesisht me atë të kuajve. Banonim sipër dyqanit në një pallat të vogël me tre kate përballë kishës. Unë i sapolindur, me prindërit në një dhomë, në dhomën fqinje gjyshërit e mi, në tjetrën flinte tezja ime Angela, ndërsa në katin e tretë në një dhomë flinte teze Gigia e dy të tjerat shërbenin si magazina për mallin e dyqanit. Pas më shumë se dyzet vjetësh kujtoj sot akoma me sa ëmbëlsi më zgjonte gjyshja duke me dhënë një pastë të freskët të sapo sjellë në dyqan nga një pastiçer i Vittorio Veneto-os.
Pas dy vjetësh lindi vëllai im me të cilin më vonë kemi shumë kujtime e çapkënllëqe të moshës nëpër kodrat përreth fshatit. Pas tre vjetësh lindi motra ime Tiziana, emrin e të cilës e zgjodha unë e që iu pëlqeu edhe prindërve.
Shkollën fillore e kreva në fshat e kujtoj me nostalgji mësuesin tim Pietro Venier, një ish ushtarak që na mësoi veç himnit të Mamelit edhe këngë të tjera si “Va pensiero”.
Në përgjithësi shkolla 8vjeçare kryhej në fshat, kishte të mirat e saj. Ndërkohë prindërit e mi menduan të më regjistronin në shkollën e mesme ekonomike private në “Vittorio Veneto”.
Fillimi im në botën e futbollit qe i vështirë, menjëherë u teserova me ekipin e “San Martino”-s, po ëndrra ime ishte të luaja me “San Giacomo”, skuadër që më tërhiqte për nivelin cilësor të lojës. Me një strategji të denjë të një agjenti të madh sekret rimora pronësinë e kartelës dhe ia shita menjëherë skuadres shume te deshiruar vitorieze (San Giacomo). Mësuesi im i parë “lano” Truccolo më mori menjëherë nën kujdes e filloi të më stërvisë duke më kushtuar gjithë kohën e tij. Verën e ardhëshme “San Giacomo” u bashkua me “Vittorio Veneto”, shoqëri më e strukturuar e unë bëra një paraqitje të mirë në kampionat dhe Treviso që ishte në serinë D, më bleu për të luajtur në skuadrën e parë.
M’u duk se preka qiellin aq e madhe ishte lumturia ime. Ekipi duke i bërë gjërat me seriozitet e largpamësi, i dërgoi të rinjtë më premtues një dhjetë ditor në plazhin e Caorle-s për një para grumbullim. Kjo periudhë përcaktoi përfundimisht jetën time!!! Në ato ditë fatmirësisht u njoha me Paolën një vajzë e bukur nga Milano që ishte për pushime me familjen dhe ndejtëm sëbashku ato ditë.
Pas detit u ktheva në shtëpi për pak ditë pushimi para fazës përgatitore para kampionatit. Mëndja ime mbeti te ajo vajzë e ëmbël e gjithmonë e më shumë, mendoja për të, pavarësisht që po filloja një eksperiencë që do më fuste në botën profesioniste.
Bashkë me babanë tim shkuam në Treviso për të gjetur një zgjidhje që unë të mund të vazhdoja studimet. Gjetëm afër kolegjit Pio X gjithçka që më nevojitej: një dhomë, shkollën e stërvitjen pas shkollës.
Kampionati shkoi mjaft mirë si për mua ashtu edhe për skuadrën Trevison qe e kapi kreun qe ne fillim dhe e mbylli ne vend te pare duke fituar duelin e ashper me Triestinën.
Në shkurt bashkë me drejtorin sportiv Galtarosa vajtëm në Milano për të takuar drejtuesit e Interit, të cilët më kishin vënë syrin. Kujtoj takimin në selinë e Interit në “Foro Bonaparte” me presidentin e atëhershëm Ivanoe Fraizzoli njeri me një humanizëm të madh e për mua me një pasuri të madhe shpirtërore.
Më dukej sikur isha në ëndër, po shkoja në një skuadër të madhe e ajo që më interesonte më shumë ishte që skuadra ndodhej në qytetin e vajzës me të cilën isha i dashuruar çmendurisht! E pabesueshme!!!
Në Milano qëndrova gjithë kampionatin me ekipin e parë, po nuk munda të debutoja, duke patur një zhgënjim shumë të madh. Në Interin e atëhershëm luanin midis të tjerëve: Mazzola, Facchetti, Boninsegna, Oriali, Marini. Një vit më vonë shkova në shërbimin ushtarak e kjo për forcë pengoi të ardhmen time tek bardhë e zinjtë dhe në nëntor më transferuan me ekipin e Reggianës në kategorinë e tretë (C).
Vitin e ardhshëm përsëri Interi që dispononte kartelën time më transferoi në Pescara të sapo kaluar në kategorinë e parë nën drejtimin e zotit Giancarlo Gadé.
Përjetoj një kampionat shumë pozitiv dhe ngjall interesin e zikaltërve që duan të më kthejnë në shtëpi por shpresat e mia shuhen nga ”shpërthimi” i papritur i Giancarlo Pasinato te Ascoli dhe më dërgojnë të luaj te Brescia në Serinë B në këmbim të një pjese të kartonit të Evaristo Beccalossi.
Në Brescia u ambientova menjëherë e takova Gigi Simoni-n me të cilin vitin e ardhshëm fituam kampionatin. Gigi donte të më çonte në Genova po dëshira ime për të luajtur sa me mirë e dhënë maksimumin në kampionat më bëri të qëndroj tek Brescia(me dallandyshet). Po për fat të keq në kampionatin e ardhshëm ramë në ditën e fundit në mënyrë të rrufeshme, kushtëzuar nga një sërë rezultatesh në fusha të tjera me të vërtetë të çuditëshme. Qëndrova në Brescia edhe për dy sezone të tjera, pra gjithsej kalova pesë vjet në atë qytet.
Një vit më vonë u shita në Palermo ku qëndrova për tre sezone duke bërë kampionate të shkëlqyera e duke hyrë në zemrat e palermitanëve. Aventura palermitane përfundoi në mënyrë traumatike, me falimentimin e përjashtimin e skuadrës nga kampionati i kategorisë së dytë.
Aty nga fundi i tetorit përfundova në Vicenza ku në fakt nuk kalova një vit të mbarë. Vitin tjetër edhe për shkak të sëmundjes së babait vendosa të afrohem me shtëpinë. Firmosa një kontratë dyvjeçare me Treviso-n, me ekipin që më kishte lançiuar dymbëdhjetë vjet më parë.
Në verën e 1987-ës u martova me Paolën pas një fejese të gjatë. Një muaj më vonë vdiq babai im me të cilin isha shumë i lidhur megjithese nuk e kisha shprehur ne menyre te vecante. Sot kujtoj me dhimbje heshtjen e gjërat e pathëna, ndihem shumë pranë tij e shpesh mendoj që bëri gjithçka duke më ndjekur në jetën time profesionale.
Atij i dedikoj jeten dhe këto pak rrjeshta për karrierën e jetën time, një mënyrë ndoshta e veçantë për të risjellë gjërat e pathëna, emocionet e ndjenjat e padeklaruara. Faleminderit Baba.