“Mehën e kurseva, Gashi s’ka hapësira”

Është disi më i qetë Xhani De Biazi në konferencën e radhës për shtyp. Normal, nëse mendon se këtë muaj Shqipëria që ai drejton do të ketë përballë si rrallëherë në gjithë historikun e saj dy superekipe, ndaj të cilëve nuk do të ketë aspak frikën e humbjes. Sigurisht, pasi kemi të bëjmë me dy miqësore, të cilat, sipas De Biazit, do t’i vlejnë shumë skuadrës sonë për të fituar eksperiencë të rëndësishme. Më tej ai u fut në analizën e përzgjedhjeve që ka bërë, duke u ndalur më së pari te dy emra me peshë në skuadrën tonë: Alban Meha dhe Shkëlzen Gashi. Që të dy këta lojtarë janë lënë jashtë, por për arsye të ndryshme. Sakaq, De Biazi foli edhe për prurjet e reja, si dhe shkakun se përse nuk e ka grumbulluar as këtë herë talentin e Shalkes, Donis Avidijajn.
Dy miqësore luksi, në një farë mënyre, çfarë presim nga skuadra jonë në këto dy ndeshje?
Do të luajmë ndaj dy skuadrave të mëdha: fillimisht me Francën, një ekipi me një grup lojtarësh të jashtëzakonshëm dhe të aftë që të të godasin në çdo moment dhe ndaj Italisë, që tashmë e njihini fort mirë. Sakaq ne do të mundohemi që nga këto dy ndeshje të mund të marrim sa më shumë eksperiencë, duke qenë se flasim për ekipe të niveleve të larta. Këto dy takime vijnë pas asaj që ndodhi në Beograd muajin e shkuar, ndaj do mundohemi që ta harrojmë atë gjë, duke krijuar në skuadër një klime totalisht tjetër, e cila të na vlejë edhe për më tej.
Pse nuk është grumbulluar me Kombëtaren Alban Meha?
Nuk është grumbulluar pasi e di fort mirë se nuk është ende në formën më të mirë të mundshme. Unë jam shumë i lumtur që ai shënoi edhe golin e tij të parë në Bundesligë, por kam menduar se në këto momente Meha duhet të përqendrohet në rikuperimin e tij tërësor, pasi, më shumë sesa në këto dy ndeshje miqësore, ai është një lojtar që na duhet për ndeshjen e marsit të vitit tjetër dhe Albani e di fort mirë këtë gjë.
Ndërkohë keni marrë Ajetin e Bazelit, një tjetër lojtar kosovar…
Kam grumbulluar këtë lojtar që e ndiqja prej kohës dhe mendova se tani është rasti i duhur që ta provoja. Është një lojtar i ri, i cili na bën shumë punë për të ardhmen, ndaj dhe e kam grumbulluar. Ndërkohë edhe federata ka nisur me procedurat e dokumentacionit, me qëllim që të mund të marrë pasaportën shqiptare dhe në të ardhmen e afërt të mund të luajë rregullisht me ne.
A nuk do të kishte qenë më mirë që të kishit grumbulluar në këtë listë të gjatë edhe Donis Avdijajn, duke shuar kështu edhe ndonjë mundësi që ky lojtar të luajë për ne dhe jo për Gjermaninë?
E kam thënë edhe më parë që e kam në konsideratë atë lojtar. Fakt është se para pesë ditësh kam folur edhe me babanë e tij në telefon për këtë gjë, por Avdijaj nuk ka luajtur qoftë edhe një sekondë me Shalken deri tani. Kësisoj, me mbarimin e këtyre miqësoreve kam vendosur që të shkoj ta takoj dhe të flas edhe me Di Mateon (trajneri i Shalkes), për të kuptuar më mirë se cilat janë arsyet që ai lojtar nuk arrin të gjejë qoftë edhe pak minuta aktivizim tek ajo skuadër.
Si është e mundur që nuk keni grumbulluar Shkëlzen Gashin, një lojtar që së fundmi ka shënuar edhe në Champions?
E drejtë, por për mënyrën sesi po luan aktualisht Kombëtarja në sulm, jam i mendimit se një lojtar shumë i mirë nga ana tjetër si Gashi nuk do të mund të gjente hapësira. Ne aktivizojmë në atë repart lojtarë me tipare krejt të tjera, ndaj dhe nuk e kam grumbulluar. Sakaq, nuk i heq asnjë presje faktit se ai po kalon një moment të mirë dhe më vjen mirë që po shënon gola. Për momentin nuk dua të prek stabilitetin në atë repart të skuadrës, i cili më ka dhënë garanci. Gjithsesi, uroj që ai të na duhet në ndeshjet e mëvonshme, pasi mbetet pjesë e projektit tonë.
Shkojmë në Francë për një miqësore, por a do mund të shkojmë në Francë në 2016-ën?
E vështirë të thuhet kjo gjë. Starti i mirë të bën të shpresosh shumë për të ardhmen, por duhet thënë se ne jemi një skuadër e mirë, ndonëse jo në lartësinë e skuadrave të tjera të grupit tonë. Për të bërë një krahasim, kolegu im te Danimarka e drejton atë skuadër prej 14 vitesh dhe tanimë ka krijuar një grup të tijin. Ne, nga ana tjetër, e kemi nisur mirë duke krijuar bazën e ekipit, por do duhet ende kohë dhe punë në këtë këndvështrim. Unë uroj dhe natyrisht që do punojmë që këtë herë të shkojmë në Renë (aty do luhet miqësorja) dhe në 2016-ën të jemi në Paris.
Trajneri i Italisë, Antonio Konte, ka thënë se do të luajë me skuadrën e rezervave ndaj Shqipërisë, do bëni edhe ju të njëjtën gjë?
Kam përshtypjen se jemi në kushte të ndryshme, pasi Konte në një farë mënyre është i detyruar ta bëjë një gjë të tillë. Italia do të luajë të dielën në darkë për kualifikimet ndaj Kroacisë dhe të martën ndaj nesh. Kuptohet që është normale se nga e diela në të martë nuk mund të luajnë të njëjtët lojtarë. Edhe kur e kam diskutuar temën e ndeshjes miqësore me atë në Shën Peterburg, ai kishte pikërisht këtë ide që të luante me lojtarë të linjës së dytë, por më besoni se edhe ata janë shumë të fortë për skuadrën tonë.
Çfarë tip ndeshjeje na pret me Italinë, do të luajmë hapur dhe për të dhuruar spektakël apo në mbrojtje?
Do të bëjmë ndeshjen tonë. Sigurisht, mua nuk më pëlqen të pësoj gola, ndaj do mundohemi të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë dhe më pas të mund t’i rrezikojmë me kundërsulm, për aq sa do mundemi ta bëjmë një gjë të tillë. Gjithsesi, e rëndësishme është që po zhvillohet kjo miqësore e shumëkërkuar nga ne. Kishim 2-3 vite që u kërkonim italianëve për këtë ndeshje dhe duket se duke i stresuar vazhdimisht me kërkesa ia arritëm t’i bindim.
Cili do të jetë impresioni i De Biazit si italian kur të luajë kundër vendit të tij?
Do të jetë krejt normale… nuk e di, ndoshta kur të dëgjoj himnin tim do kem ndonjë ndjenjë… por ju siguroj se unë do këndoj himnin tonë (shqiptar) edhe për aq pak ose ashtu sikundër unë e di ta këndoj.
Sa i përket ndeshjes me Francën, kemi surprizuar Portugalinë dhe ndalur Danimarkën, mund të bëjmë të njëjtën gjë edhe ndaj Francës?
Shumë e vështirë që të ndodhë një gjë e tillë. Do të duhet që francezët të përgjumen totalisht në fushë, çka nuk besoj se do ndodhë. Janë një skuadër me kualitete të jashtëzakonshme që, edhe kur ndryshojnë pozicionet me njëri-tjetrin, arrijnë të luajnë në mënyrë perfekte. Gjatë këtyre ditëve i kam studiuar të gjithë dhe them se është shumë e vështirë të gjesh pika të dobëta.
A do ndikojë vendimi i UEFA-s jo thjesht në aspektin e pikëve, por atë psikologjik të lojtarëve shqiptarë?
Varet… varet nga vendimi përfundimtar që do të merret. Unë e kam thënë edhe më parë, se unë besoj se do të bëhet drejtësi në kuptimin e plotë të fjalës. Unë besoj se ne pësuam një dëm të rëndë, pasi nuk u vumë në kushtet për të luajtur në mënyrë të barabartë me skuadrën vendëse. Unë e kuptoj edhe tifozllëkun e zjarrtë, por assesi, hedhjen e sendeve të fortë në fushë, futjen e tifozëve dhe tmerrin që pësuam në Beograd. Ajo që ne donim dhe që normalisht duhej që të sigurohej nga vendësit, ishte zhvillimi normal i një ndeshjeje futbolli, gjë që nuk u bë për shkakun e tyre dhe jo tonin. Është një gjë e papranueshme dhe ajo që ndodhi dhe duhet që UEFA të mos lejojë gjëra të tilla dhe të vërë drejtësinë e munguar në vend. Gjithsesi, unë besoj se me marrjen e vendimit të argumentuar të UEFA-s, Federata Shqiptare e Futbollit do të bëjë menjëherë animimin ditën e hënë, me shpresën që gjërat të ndryshojnë në të mirën tonë. Kërkojmë vetëm drejtësi e asgjë më shumë dhe nisur nga ajo që pësuam në Beograd, nuk e meritojmë atë vendim të dhënë nga UEFA.

Urim i sinqertë për Alban Hoxhën
Para nisjes së konferencës për shtyp, Xhani De Biazi ka dashur të kujtojmë portierin e Kombëtares dhe Partizanit, Alban Hoxhën, duke i uruar atij për shërim sa më të shpejtë të bashkëshortes, e cila pësoi hemorragji cerebrale, pak ditë më parë, menjëherë sapo lindi foshnjën e saj. “Para së gjithash, dua që sot t’i bëj një urim me gjithë zemër dhe t’i qëndroj sa më pranë bashkëshortes dhe lojtarit tonë të skuadrës, Alban Hoxha, i cili po kalon një periudhë shumë të vështirë të jetës së tij, për shkak të asaj që ka pësuar e shoqja. Ashtu sikundër ia thashë atij privatisht, dua që ta them edhe publikisht: uroj me shpirt që ai dhe familja e tij ta kalojnë këtë moment”.

“Tifozët, forca që na çon përpara”
Trajneri i Kombëtares ka pasur dje edhe një përgëzim të veçantë për tifozët e Kombëtares shqiptare. Nisur nga gjithë mbështetja që ka pasur skuadra jonë që pas ndeshjes me Serbinë në Beograd, trajneri e gjeti me vend që të shprehte respektin e veçantë për tifozët kuqezinj. “Falënderim special për tifozët e Kombëtares, të cilët edhe këtë herë treguan se janë unikë në llojin e tyre me protestat, manifestimet dhe mbështetjen e madhe që i dhanë skuadrës pas asaj që ndodhi në Beograd. Kam mbetur i mrekulluar dhe impresionuar prej tyre. E them me bindje se ata janë forca jonë e vërtetë që na bën të shkojmë përpara”, theksoi dje De Biazi në konferencën për shtyp.

Shqipëria, 6 seanca stërvitje për “big”-ët
Kombëtarja shqiptare do të grumbullohet ditën e nesërme në resortin “Tropikal” në Durrës dhe pas dy ditëve stërvitje, më 13 nëntor, do të udhëtojë me një çarter drejt Renës në Francë, aty ku një ditë më vonë do luhet ndeshja miqësore. Më pas, kuqezinjtë do vijojnë sërish stërvitjen edhe për dy ditë të tjera në këtë vend dhe më 17 nëntor do udhëtojnë për në Xhenova, ku më 18, në “Luigji Ferraris”, do të luhet ndeshje miqësore me Italinë. Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit vijon të tërheqë vëmendjen e tifozëve shqiptarë, të cilët duan të ndjekin ndeshjen mes Francës dhe Shqipërisë më 14 nëntor në Renë, që të prenotojnë sa më parë biletat. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe “Tifozët Kuq e Zi”. Çmimi i biletës për anëtarët është 15 euro, ndërsa afati i fundit për rezervim është data 7 nëntor 2014. Takimi do të luhet në “Stade de La Route de Lorient” Renë, në ora 20:45. Stadiumi i Renës është me një kapacitet prej 40 mijë vendesh dhe Shqipërisë i takojnë rreth 2 mijë bileta (5 për qind e numrit të caktuar). Ndërsa sa i përket ndeshjes me Italianë, duhet thënë se të gjitha përfitimet nga biletat do t’i jepen për bamirësi bashkisë së qytetit të Xhenovas për dëmet e shkaktuara nga shirat e muajit të shkuar.
LEONARD KARAJ

Panorama – Sport