De Biazi: Luajtëm mirë, barazim historik ndaj francezëve

Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, kishte ndërtuar një taktikë thuajse perfekte, që bllokoi yjet e Francës të dilnin në lojën e tyre (Benzema dhe Pogba ishin thuajse në hije), ndërsa përmes një kundërsulmi mjaft të saktë e të shpejtë e vuri në vështirësi kundërshtarin. Po ashtu, skemat e përdorura prej tij në stërvitje gjatë goditjeve të dënimit treguan edhe një herë tjetër të premten për inteligjencë të lartë ideore, por edhe ekzekutimi nga kuqezinjtë në fushë. I tillë ishte edhe rasti i golit të Mavrajt, por edhe një moment tjetër më herët, kur u përsërit e njëjta skemë si në golin e Salihit në Norvegji, vetëm se kësaj here topi nuk shkoi në rrjetën e kundërshtarit, por përfundoi paksa mbi traun e portës. Para miqsores së luksit, italiani i pankinës kuqezi kishte thënë, ndoshta me diplomaci, se do të lutej në kishë të mos pësonte goleadë ndaj Francës, në elitën e futbollit europian e botëror, por pas 90 minutave në Rennes, De Biazi ka pse të ndihet krenar. Ai, madje, ka kërkuar më shumë, pse jo edhe fitoren, ndaj është i mërzitur me golin e pësuar prej “gjelave”. Duke folur për TVSH-në pas ndeshjes, trajneri i kombëtares bëri këtë analizë: “Kam thënë para ndeshjes se do të luanim për fitore, por edhe i jam druajtur goleadës, duke pasur parasysh nivelin e Francës. Tani e them me siguri që nëse do të luanim për barazim, rrezikonim ta humbnim ndeshjen. Barazuam dhe ky është një rezultat historik i Shqipërisë në përballjet me francezët. Skuadra ime zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. Franca luante me katër sulmues, ndaj ne morëm masat tona, duke vendosur tre lojtarë në qendër. Kërkuam të kishim superioritet numerik. Qëllimi im si trajner ishte të mos tërhiqeshim, por t’i sulmonim. Mund ta kishim ruajtur golin e Mavrajt deri në fund, por fatkeqësisht pësuam një gol edhe për gabimin tonë. Kjo më nxeh deri diku,”- ka nënvizuar mes të tjerash De Biazi.

Panorama – Sport