Vjen Altin Lala, prezantohet stafi i kombëtares
Është prezantuar të hënën në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit stafi i ekipit kombëtar, që do të drejtojë kuqezinjtë për eliminatoret e Kampionatit Europian 2016. Fillimisht menaxheri i ekipit kombëtar, Alban Bushi, dhe trajneri Xhani De Biazi, kanë folur përballë gazetarëve të shumtë në lidhje me shortin eliminator, kundërshtarët dhe objektivat e kombëtares shqiptare. Ai i është përgjigjur edhe interesit te tyre, nëlidhje me ndeshjen miqësore që kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë më datë 5 mars në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit, kundër Maltës. Më pas është prezantuar i gjithë stafi teknik i ekipit kombëtar. Kështu, pas menaxherit Alban Bushi dhe trajnerit Xhani De Biazi, kanë dalë me radhë ndihmëstrajneri Paolo Tramexani, trajneri i portierëve Ilir Bozhiqi dhe përgatitësi atletik, Alberto Bele. Një risi në këtë rast ishte edhe pjesëmarrja në staf e njërit prej ish-futbollistëve më të dashur të kombëtares shqiptare, Altin Lala, i cili do të jetë ndihmësi i De Biazit.
Ndërkohë, De Biazi ka mbajtur edhe një konferencë për shtyp në prag të miqësores me Maltën, të cilën e cilëson si një test për lojtarët që ka grumbulluar, në funksion strategjisë së tij afatshkurtër dhe afatmesme për eliminatoret e “Euro 2016”. “Ndaj Maltës do të përqendrohemi më shumë në mesfushë dhe në sulm. Në miqësoret përgatitore do të vendos edhe formacionin titullar me të cilin do të përballojmë eliminatoret. Ndeshja me Maltën do të jetë e para në këtë drejtim. Xhaka, Vajushi dhe Sadiku? Për momentin janë thjesht pjesë e projektit tim, s’mund të them më shumë. Salihi shënoi një gol të jashtëzakonshëm dhe do ta mbaj nën vëzhgim. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Bulkun e Çanin, ndërsa Dallku vështirë se mund të thirret më”, – nënvizoi mes të tjerash trajneri kuqezi.
Nga gazetarët nuk mund të mungonte edhe një koment për Adnan Januzajn si dhe grupin tonë kualifikues për “Euro 2016”. “Mendoj se Januzaj e ka bërë zgjedhjen e tij. Ai po pret të luajë me Anglinë dhe besoj se të gjithë e kanë kuptuar këtë fakt. Në lidhje me vendimin e Shkodran Mustafit për të luajtur me Gjermaninë, unë e respektoj, edhe pse kisha folur me të për t’u afruar në kombëtaren tonë. Lidhur me grupin tonë kualifikues e përsëris se na pret një rrugë mjaft e vështirë. Kundërshtarët janë tepër të fortë, ndaj e kam konsideruar grupin më të vështirë dhe më të pafatin për ne. Sidoqoftë, ne do të bëjmë detyrën tonë. Dua të nënvizoj faktin se forca e Shqipërisë në eliminatoret e Europianit 2016 do të jetë përulësia,” – ka analizuar De Biazi.
Ujkani ikën te Kosova, por a e tremb De Biazin një “hemoragji” më e madhe. Italiani përgjigjet: “Do të diskutoj në vecanti me secilin prej lojtarëve kosovarë për të ardhmen e tyre në kombëtaren e Shqipërisë. Ujkani besoj se do të jetë një rast i vecuar. Nuk kam folur me të pas vendimit për të luajtur me Kosovën, thjesht kemi komunikuar me sms në “WhatsApp”. Nuk dua të them më shumë për të.”