De Biazi: Januzaj zgjodhi Anglinë, Dallku nuk do vijë më

Xhani De Biazi është dorëzuar për Adnan Januzajn. “Ka zgjedhur Anglinë. Kur një lojtar nuk denjon që për një vit e gjysmë t’u përgjigjet thirrjeve për bisedime, atëherë do të thotë se ai ka plane të tjera dhe jo Kombëtaren e Shqipërisë”, – ka thënë dje trajneri italian i kuqezinjve në konferencën për shtyp, të organizuar në institucionin e futbollit. Ai ka prekur disa nga temat më të nxehta të Kombëtares, ndërsa ka thënë se kundër Maltës do të testohet mesfusha dhe sulmi.
De Biazi ka lënë të kuptohet se Dallku nuk do të jetë më pjesë e planeve të tij.

Mister, luajmë me Maltën. Përse na shërben ky kundërshtar modest, ndërkohë që në grup kemi skuadra shumë të vështira?
Mendoj se këto janë ndeshje shumë të rëndësishme të përfaqësueses sonë, sepse vetëm këtu kemi mundësi të bëjmë eksperimente dhe të provojmë forcën. Sigurisht që do të kishim dashur ndonjë kundërshtar tjetër, por tani kemi Maltën dhe do të përpiqemi ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë ndeshje.

Çfarë keni ndërmend me “maksimalisht”?
Do të testojmë gjendjen e lojtarëve që kemi. Më së shumti do të fokusohemi te mesfusha dhe sulmi, sepse aty kemi hasur edhe problemet më të mëdha në fundin e edicionit të kaluar.

Pse nuk është thirrur Salihi?
Me Salihin kam folur dhe ia pata thënë edhe para se të shënonte golin spektakolar këtë fundjavë, se nuk mund të ishte për shkak se ka pak kohë që ka nisur të luajë rregullisht. E kam në fokus, ashtu siç kam edhe lojtarë të tjerë.

Nuk janë në listë as Bala, Vajushi, Bulku e Dallku?
Bala është një lojtar që e kam në konsideratë dhe shpresoj që të jetë gjithnjë gati kur t’i jepet shansi. Vajushi, por gjithashtu edhe Taulant Xhaka, që e grumbulluam për herë të parë, janë të dëmtuar, ndaj edhe fatkeqësisht nuk mundën të ishin. Edhe Bulku është një lojtar që e vlerësoj dhe e kam në konsideratë, ndërsa sa i përket Dallkut vështirë se do të grumbullohet më.

Po Çani pse nuk është thirrur?
Nuk është thirrur, sepse me kampionatin që po bën nuk më duket se është në nivelin që të vij në Kombëtare. Kjo vlen për të gjithë. Në të kaluarën, Çani ishte një nga zgjedhjet e mia të para, por më pas për arsye të ndryshme gjithmonë ka “humbur” rrugës.

Keni grumbulluar vetëm dy sulmues, Kapllanin dhe Sadikun…
Nuk është e nevojshme që të kemi kaq shumë sulmues. Kam thirrur ata lojtarë që në këtë moment janë të përgatitur më mirë.

Çfarë do të bëhet me Loret Sadikun?
Nuk e di. Ajo që më intereson janë lojtarët që janë këtu dhe pasnesër për ndeshjen kundër Maltës. Pastaj, secili i ka bërë zgjedhjet me dëshirën e vet. Kjo nuk është diçka që, shkon luan atje (me Kosovën) dhe pastaj vjen këtu. Ka disa rregulla.

Mister, a keni biseduar me Januzajn ose me babanë e tij?
Januzaj mendoj se e ka bërë zgjedhjen e tij, dhe ajo nuk është Shqipëria.

Që do të thotë?
Që do të thotë se kur një njeri nuk denjon të të hapë telefonin për 1 vit e gjysmë, atëherë nuk ka interes që të dëgjojë propozimin tënd dhe nuk ka interes për këtë Kombëtare. Unë mendoj se ai ka zgjedhur Anglinë.

U ndjetë keq kur Mustafi pranoi ftesën e Gjermanisë?
Mustafi është një lojtar shumë i mirë, të cilin doja ta kisha te Shqipëria. Mendoj se do të ishte një element i vlefshëm. Ai zgjodhi Gjermaninë dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë mbarësi dhe të respektojmë zgjedhjen e tij.

Ujkani deklaroi se u largua nga Kombëtarja për shkak se disa njerëz brenda ekipit ia imponuan të bënte këtë zgjedhje. Cili është mendimi juaj?
Nuk kam asnjë replikë me Ujkanin. Mori një vendim që ai e pa të arsyeshëm dhe thjesht e respektoj vendimin e tij. Nuk e di se çfarë arsyesh ka pasur që është larguar. Më dërgoi vetëm një mesazh në celular, nëpërmjet programit “whats app”.

Cili është mendimi juaj për shortin dhe objektivi konkret që do të keni?
Short tejet i vështirë. Pjesa dërrmuese e skuadrave në grupin tonë janë të një niveli më të lartë se ne, dhe kjo nuk mund të mohohet. Megjithatë, arma jonë duhet të jetë besimi maksimal se mund të marrim pikë në çdo takim dhe përulësia. Nuk na lejohet që në një grup si ky të jemi euforikë. Duhet të jemi të bashkuar dhe të luftojmë me dinjitet deri në fund të ndeshjeve, sepse kjo është mundësia jonë e vetme. E përsëris, cilësisht shumica e skuadrave janë mbi nivelin tonë. Na pret një rrugë e vështirë, por ky nuk duhet të jetë një fakt që mund të na frikësojë. Përkundrazi, do të na motivojë më shumë për të arritur atë që kërkojmë. Mendoj se si në çdo fushë të jetës, duhet të kemi forcën dhe dëshirën për të ecur përpara, duke qenë kompetitivë.

Objektivat?
Mama mia! (Oh, nëna ime) Duhet të luajmë njëherë.

A keni ndonjë koment për kalendarin, çfarë preferencash kishit për ndeshjet e para?
E kam thënë edhe më parë, nuk jemi personat më të lumtur në botë për këtë short. Ishte një short kundër Shqipërisë për ta përballuar. Por, nga vështirësitë duhet të mësohemi që të luftojmë me kurajë. Janë vështirësi shumë, shumë të forta për t’u përballuar, por me vetëdije të plotë. Gjithsesi, të gjitha ndeshjet nisin 0-0, kështu që për t’i ndryshuar duhet të bëjmë më të mirën, të vëmë qëllimin tonë. Të dalim në fushë me identitetin tonë.

Duke parë grupin aktual, a keni një skemë fikse se si do të luajë skuadra?
Kjo është një skuadër që duhet të mësojë të ndryshojë lëkurë edhe brenda një ndeshjeje. Them se duhet të aftësohemi në këtë këndvështrim. Nëse na mungon diçka nga ana teknike, duhet ta kompensojmë me taktikën e duhur për të vënë në vështirësi kundërshtarin. Prandaj na duhet shumë punë dhe ndërkohë mund të jetë e rëndësishme edhe nëse veprojmë si kameleon.

Në eliminatoret e kaluara, Armenia është mundur në fushën e saj nga Malta, Çekia dhe Danimarka, ndërsa Serbia në Maqedoni. A jemi ne më mirë se Maqedonia dhe Malta që të jemi kaq optimistë për fitore?
Nuk thashë këtë. Thashë që do të ishte budallallëk të hidheshe përpjetë nga gëzimi meqë po ndeshemi me skuadra të forta. Besoj se do të ishte kriteri i parë për të vajtur drejt humbjes. Besoj se Shqipëria forcën e saj duhet ta gjejë te përulësia, vendosmëria dhe duke mos u dorëzuar kurrë. Këto janë gjërat kryesore. Nëse ne e vëmë veten në një plan me të tjerët, jemi të mundur pa nisur ende, sepse teknikisht, për fat të keq, jemi inferiorë karshi shumicës së skuadrave të grupit. Shumë herë skuadrat më të forta humbasin me ato më të dobëta. Duhet të përgatitemi për të qenë të bashkuar dhe kështu do të jetë më e lehtë për ne që të arrijmë objektivat.

Në përballjet me Portugalinë Vangjeli ka mbuluar mirë Kristiano Ronaldon…
Do të gjejmë një lojtar tjetër për ta mbuluar Ronaldon, nëse nuk do të jetë Vangjeli. Ai sapo ka nisur të luajë me Arisin e Selanikut dhe prandaj nuk e kam thirrur, por nuk mund të jap shpjegime sa herë që lë jashtë një lojtar. Nga një grumbullim në tjetrin përpiqemi të bëjmë zgjedhjet më të arsyeshme. Nëse Vangjeli do të luajë rregullisht tek Arisi, jo si te Çernomorets, dhe do të jetë në formë, sigurisht që do ta thërras.

“Kosovarët duhet të vendosin ose ne do të ndryshojmë rrugën”
Xhani De Biazi kërkon të marrë një përgjigje konkrete nga lojtarët kosovarë të Kombëtares shqiptare përpara nisjes së eliminatoreve për Euro 2016. Në konferencën e djeshme për shtyp, i pyetur nga “Panorama Sport”, italiani sqaroi se do të takohet këto ditë me të gjithë futbollistët kosovarë për t’u bërë të ditur planin e tij. “Presioni” i De Biazit është i hapur. “Do të bëj një bisedë shumë të qartë me të gjithë lojtarët nga Kosova gjatë këtyre ditëve, madje që sot në grumbullim. Do të sqarojmë cilat janë planet e tyre për të ardhmen dhe çfarë pres unë. Unë dua të kem një ide të qartë se çfarë do të bëjnë ata me ne. Nëse duan të hipin në këtë makinë për të shkuar në Paris, atëherë ata nuk duhet të zbresin më gjatë rrugës. Duhet të jetë një zgjedhje përfundimtare dhe të japin fjalën e tyre, përndryshe do të ndryshojmë rrugën dhe në këtë mënyrë do të ndryshojmë lojtarët”, – është shprehur dje kreu i pankinës kuqezi. Ndërkohë, pritet që ai të diskutojë kokë më kokë me Etrit Berishën, Lorik Canën, Mërgim Mavrajn, Emir Lenjanin, Amir Abrashin, Migjen Bashën, Alban Mehën dhe Valdet Ramën, të cilët janë ftuar për të qenë pjesë e Shqipërisë në miqësoren kundër Maltës. Deri më tani, e vetmja firo është ajo e portierit Samir Ujkani, i cili ka zgjedhur të largohet nga Shqipëria, duke luajtur për Kosovën.

Altin Lala, zv.trajneri i ri: Krenari për mua
Altin Lala është zyrtarisht zv.trajner i Kombëtares shqiptare. Ajo që “Panorama Sport” kishte paralajmëruar gjatë fundvitit të kaluar u bë zyrtare dje, kur vetë De Biazi prezantoi para mediave si ndihmës të tij ish-kapitenin kuqezi. Lala foli për këtë aventurë të re, teksa theksoi se ndihet krenar që është përzgjedhur për të qenë pjesë e stafit teknik kuqezi. “Është një eksperiencë e re dhe natyrisht m’u bë qejfi që trajneri De Biazi më ftoi për të bashkëpunuar. Jam shumë i lumtur, pasi për mua është një krenari fakti që do të jem në shërbim të Kombëtares, tashmë në rolin e zv.trajnerit. E falënderoj për këtë ofertë që më bëri, sepse është një eksperiencë krejt ndryshe në krahasim me rolin e futbollistit si futbollistit. Do mundohem të mësoj shumë gjëra nga De Biazi. Në fakt, unë kam luajtur për shumë vite në Gjermani dhe mentaliteti gjerman, por edhe ai italian, dominojnë në futbollin botëror”, – deklaroi fillimisht Lala.
Këshilla I pyetur se cilat do të ishin këshillat e tij për futbollistët e sotëm, për një gjë që nuk duhet të bëjnë për trajnerin, ai u shpreh: “Nuk ka diçka speciale, thjesht duhet punë dhe shumë seriozitet në stërvitje. Ndikon shumë edhe ana shpirtërore që duhet të ketë një lojtar. Unë do mundohem të ndikoj sa më pozitivisht tek ata që pak vite më parë i kam pasur shok skuadre në ekipin Kombëtar”.
Shorti Në lidhje me shortin e Shqipërisë për eliminatoret e EURO 2016, Lala deklaroi: “Nuk diskutohet që është një grup shumë i vështirë, pasi kemi si kundërshtar tri skuadra shumë të forta. Megjithatë, e kaluara ka treguar që ne mund të bëjmë surpriza edhe ndaj ekipeve si Portugalia apo Danimarka. E vetmja gjë pozitive mendoj se është fakti që edhe vendi i tretë të dërgon në fazën ‘play-off’ dhe, si të thuash, shpresa mbetet gjallë deri në fund. Pra, mund të bëjmë diçka të mirë në këtë grup, edhe pse është shumë i fortë. Shanset janë reale dhe ne duhet të tentojmë të bëjmë diçka të madhe”.
Komunikimi Në fund, në lidhje me komunikimin që do të ketë me trajnerin De Biazi, Lala në formë batute tha: “Unë italishten gjysmë e flas (qesh). Kuptoj italisht më tepër, por duke pasur kontakte më duhet vetëm ta përmirësoj, ose përndryshe trajneri (De Biazi) të mësojë shqipen. Fëmijët e mi e flasin në mënyrë perfekte italishten, ndërsa unë e kuptoj dhe flas pak. Por, të jeni të qetë se unë nuk do të jap intervistë në italisht”.

Bushi: Për Lalën pati ”luftë” Shqipëri-Spanjë
Alban Bushi dhe Altin Lala ritakohen në Kombëtaren shqiptare në pozicione të tjera. I pari prej gati dy vitesh është menaxheri i ekipit përfaqësues, ndërsa i dyti dje u zyrtarizua zv.trajner i kuqezinjve. Kanë luajtur për një periudhë të gjatë së bashku, por tashmë do t’i shërbejnë Kombëtares në pozicione të tjera, jo në fushë. Pak para se Lala të bënte dje prezantimin para mediave, “Loku”, i cili njihet për batutat që bën, nuk mund ta kursente një të tillë ndaj ishkapitenit Lala. “Ju gazetarët duhet të dini diçka, Lala ka ardhur në këtë detyrë jo kaq lehtë. Ka pasur një luftë mes Shqipërisë dhe Spanjës për ta marrë Lalën në stol. Gjithsesi, ne paguam 1 milion e 500 mijë dollarë dhe e bindëm. Ia arritëm qëllimit”, – ka thënë Bushi duke qeshur.

Italiani, elozhe stafit në prezantim
Xhani De Biazi ka prezantuar dje edhe bashkëpunëtorët e tij për edicionin e ri. Në stafin teknik ka vetëm një ndryshim, teksa është larguar Anxhelo Pereni, ndërsa në vend të tij do të jetë Altin Lala. Zv.trajner do të vazhdojë Paolo Tramexani, ndërsa përgatitës atletik do të jetë Alberto Bele. Edhe në rolin e përgatitësit të portierëve mbetet Ilir Bozhiqi. “Nuk do të jetë më në staf Anxhelo Pereni, i cili vendosi të largohej për arsye familjare. Në vendin e tij kemi caktuar Altin Lalën, lojtar me përvojë të madhe dhe njeri punëtor. Është një mesazh i qartë për të gjithë lojtarët tanë, pasi Lala në fushë ka vënë përherë interesin e skuadrës para atij personal”, – deklaroi De Biazi.
JORGIS MEMO

Stërvitja e parë, Lala ndez atmosferën kuqezi
Nga Durrësi, ROLAND GJINI
Kombëtarja shqiptare nisi dje grumbullimin në Durrës për ndeshjen që do të luajë të mërkurën ndaj Maltës. Ndryshe nga çdo herë tjetër, kuqezinjtë kanë vetëm dy ditë kohë për ta përgatitur këtë sfidë. Një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve kanë qenë të angazhuar me klubet e tyre në fundjavë, ndaj dje u zhvillua vetëm një seancë e shkurtër stërvitore në orën 17:30. Nën urdhrat e teknikut italian ishin të gjithë lojtarët e ftuar. Edhe pse stërvitja ishte paralajmëruar në orën 17:30, lojtarët dhe stafi mbërritën 15 minuta më herët. Është zëvendësi i De Biazit, i sapoemëruari Altin Lala, ai që prek i pari fushën stërvitore dhe simbolikisht hap sezonin e ri futbollistik të Kombëtares. Më pas mbërrin De Biazi, stafi teknik dhe ai mjekësor, si dhe të gjithë lojtarët një e nga një. Ashtu siç është bërë zakon, pas disa minutash përshëndetje mes lojtarësh, situatën e merr në dorë kapiteni Lorik Cana. Ky i fundit mban një fjalim të shkurtër para lojtarëve. Shumë serioz dhe me një mimikë prej luftëtari, mbrojtësi i Lacios kërkon angazhim maksimal në stërvitje.
Batutat - Fillon stërvitja dhe Altin Lala hidhet menjëherë në aksion. Ish-mesfushori, përmes batutave dhe humorit të tij, krijon shumë atmosferë në grup. Jo vetëm humor, por Lala tregon se është shumë i përqendruar te stërvitja. Fillon e kujdeset vetë për gjithçka, ndërsa De Biazi e vështron në distancë. Pasi japin udhëzimet për lojtarët, Lala dhe italiani i pankinës për disa minuta bëjnë një bisedë të veçuar, për të njohur më mirë konceptet e njëri-tjetrit. Nga ana tjetër, grupi vijon stërvitjen, edhe pse me ritme jo shumë të larta.
Seanca - Fillimisht lojtarët bënë disa xhiro vrap rreth fushës. Më pas e zunë vendin ushtrimet atletike, por jo për të gjithë futbollistët. Cana, Kapllani, Mavraj, Arapi dhe Kaçe u stërvitën të diferencuar, duke qenë se ndiheshin më të lodhur dhe i ishin bashkuar më me vonesë grupit. Pas disa minutave ushtrime të lehta, stërvitja e tyre përfundon. Nga ana tjetër, lojtarët e mbetur vijuan stërvitjen normalisht. Ushtrimet atletike pasohen nga veprime të shpejta me topin. De Biazi herë pas here bisedonte me lojtarët për të kuptuar më shumë mbi gjendjen e tyre sportive. Ushtrime relaksuese në vend i japin fund seancës së shkurtër të ditës së djeshme. Ndërkohë, sot ekipi do të zhvillojë dy seanca stërvitore me intensitet më të lartë në prag të testit me Maltën.

Shqipëria, miqësore me Hungarinë
Shqipëria do të luajë një tjetër miqësore, këtë herë ndaj Hungarisë më 4 qershor në Budapest. Lajmi i botuar një javë më parë në “Panorama Sport” u konfirmua dje edhe nga faqja zyrtare e FIFA-s, ndërkohë që çuditërisht institucioni i futbollit shqiptar nuk ka bërë ende asnjë njoftim. Për herë të fundit në një ndeshje kundër Hungarisë në transfertë, Shqipëria është mposhtur 2-0 më 11 tetor të vitit 2008. Ky takim ka qenë i vlefshëm për kualifikueset e Botërorit 2010, ndërsa sfida e fundit mes dy skuadrave është luajtur në Tiranë më 28 mars të vitit 2009, teksa kuqezinjtë janë mposhtur minimalisht 1-0. Në atë periudhë trajner ka qenë holandezi Ari Han. Kujtojmë që për datën 4 qershor të këtij viti, FSHF ishte në negociata me Italinë, por në fund “axurrët” luanin kundër Luksemburgut.

Burimi: panorama-sport.com