Shqipërisë do t’i dhuroja një stadium

Sot është mbrëmja e Krishtlindjeve dhe shumë fëmijë anekënd botës presin babagjyshin për dhuratat poshtë pemës festive. Xhani de Biazi nuk hyn te kategoria e atyre njerëzve që presin dhurata nga qielli. Jo vetëm sepse një 57-vjeçar nuk beson te Santa Klausi (babagjyshi), por sepse sipas tij gjërat e mira vijnë me punë, seriozitet dhe shumë sakrificë. E megjithatë, në një atmosferë të tillë festive, trajneri i Kombëtares “zhbalancohet” disi dhe pohon se nëse do të ishte për një moment ai vetë babagjyshi, Shqipërisë do t’i dhuronte një stadium. Në intervistën për “Panorama Sport”, ai flet për objektivat që ka në të ardhmen, por zbulon edhe disa nga sekretet e vitit që po lëmë pas. I pyetur në lidhje me gjënë më të bukur që i ka ndodhur gjatë vitit 2013, ai përgjigjet: “Më kanë ndodhur shumë gjëra të bukura në vitin 2013, por ajo që i lumturoi të gjithë ishte fitorja në Norvegji. Ngjarja që më ka impresionuar më tepër ka qenë protesta spontane e studentëve dhe qytetarëve të thjeshtë kundër demontimit të armëve kimike në tokën shqiptare. Do të thosha se ai lloj manifestimi për të mbrojtur të ardhmen dhe shëndetin e fëmijëve të tyre ishte një gjest i madh demokracie dhe një garanci për të ardhmen e popullit tuaj. Frika se Kombëtarja mund të luajë jashtë për shkak të stadiumit? Besoj se kjo nuk do të ndodhë, por nëse fatkeqësisht do të ndodhë, atëherë do të luftojmë akoma më shumë dhe besoj se mbështetja e tifozëve nuk do të mungojë as në ndeshjet që luajmë jashtë, sepse tifozët e kanë demonstruar sesa të shenjtë e kanë përfaqësuesen. Unë personalisht këtë vit do t’i kërkoja babagjyshit një stadium të vogël, por komod, ku të ishin hapësirat e nevojshme si brenda tij, ashtu edhe jashtë. Të kishte palestra, dyqane dhe në këtë mënyrë të frekuentohej nga njerëzit edhe kur nuk ka ndeshje”.

Topi: Januzajt do t’i telefonoja vetë
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka pohuar se nëse sot do ishte në postin e kreut të shtetit, atëherë do ta merrte vetë telefonin dhe do të niste negociatat për ta bindur talentin Adnan Januzaj që të luante për Shqipërinë. “Adnan Januzaj është një talent i madh, ndaj dëshiroj shumë të luajë për Shqipërinë. Nëse sot do isha President i Shqipërisë, do ta merrja vetë telefonin dhe do ta ftoja në skuadrën tonë. Madje, para se ta ftoja, do të kisha thurur të gjitha elozhet për të dhe familjen e tij, për gjithçka që kanë investuar që i biri të bëhet një talent te Mançesteri”, – tha ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, gjatë emisionit “Sport debat” në “Ora News”.

Fonte: Panorama.com.al