Kështu De Biazi ndërtoi “Shqipërinë e Madhe”!

Mbrojtja e hekurt, mesfusha cilësore, fiziciteti dhe sulmi pa pika referimi. Rrugëtimi i nisur në shkurt të 2012-ës dhe frytet e një pune të palodhur dhe disa herë të kritikuar. Plot 33 debutues dhe vlera e grupit me thënien “të gjithë për një, një për të gjithë”

Minuta e 43-të e ndeshjes, futbollisti më i shkurtër i Kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe, afrohet të ekzekutojë një goditje dënimi vetëm disa hapa larg zonës së rreptësisë. Çdokush mund të kishte menduar për një skemë, nga ato që të befasojnë dhe që janë “markë” e Xhani de Biazit, por jo. Mesfushori i PAOK, merr vrull dhe godet në mënyrë perfekte, duke e çuar dëm edhe hedhjen spektakolare të portierit të Totenhamit, Hugo Loris, që e sheh topin në “rrjetën e merimangës” teksa është duke rënë… Trajneri kuqezi, De Biazi, nuk bën asnjë reagim, asnjë mimikë dhe, madje, nuk buzëqesh. Vetëm një shikim normal, sikur të mendonte “ok, bëri detyrën, jo ndonjë gjë të jashtëzakonshme”. Këmishë e bardhë, syze të zeza dhe një kollare e kuqe. Nëse foto do të ishte pa ngjyra dhe do t’i bëhej një inkuadrim më i afërt, vetëm fytyrës së italianit nga Sermede, padiskutim ngjashmëria me ish-trajnerin legjendë të Italisë, Enco Berazot (njeriu që i dha Botërorin e tretë Italisë në Spanjë 1982) do të ishte e madhe. Sigurisht, të dy vijnë nga i njëjti vend dhe nga e njëjta kulturë, pa harruar që kanë drejtuar Torinon.

 

Por, De Biazi, tashmë me pasaportë shqiptare, do të mundohet që të lërë gjurmë të thella në analet e futbollit shqiptar, i cili që prej lindjes së tij, ende nuk e ka njohur lumturinë e përfaqësimit nga Kombëtarja në një kampionat evropian apo Botëror. Por, ky është një tjetër diskutim. Të futemi disi në mendjen e 59-vjeçarit, i ardhur në Shqipëri pa shumë zhurmë, por që prej asaj dite, është duke shkruar dita ditës një përrallë që po vë në gjumë gjithë shqiptarët duke përkundur ëndrrat për arritjen e madhe. Enco Bearzot, figura me të cilën ngjason shumë edhe De Biazi (në fakt, i mungon vetëm çibuku…), disa orë përpara ndeshjes Itali-Brazil e Botërorit 1982, në Spanjë, lëshoi batutën e famshme, që do të mbetej përgjithmonë: “E para: të mos pësojmë! E dyta: udhrdhëruese, të fitojmë. E treta: nuk ka një vend të tretë, sepse dy të parët kanë thënë gjithçka…”. Nëse s’do të thoshte “play-off” vendi i tretë në Grupin I, atëherë ndoshta kjo frazë do të ishte e përshtatshme edhe për italianin

Premtimet – Kur firmosi në dhjetor të vitit 2011, në prezantimin e parë, De Biazi deklaroi: “Do të analizojmë pozicionin e Shqipërisë në renditjen e FIFA-s dhe do ta përmirësojmë. Jam realist, që kombëtarja të rritet duhet të bëjë hapa përpara…”. E pra, në renditjen FIFA, aktualisht jemi në vend të 51-të (624 pikë), teksa fitorja e arritur dje ndaj Francës, do të na japë edhe 98 pikë të tjera (722 pikë). Por, rekordi u arrit përpara dy vjetësh, kur në qershor të 2013-tës, kuqezinjtë u renditën në vend të 38-të në FIFA, një ditë nga ndeshja me Norvegjinë, e barazuar 1-1 në fund në “Qemal Stafa”, duke shuar ëndrrën për Botërorin 2014. Por, s’është i vetmi premtim i mbajtur nga italiani dhe Shqipëria e drejtuar prej tij. Nëse dikur ishim me hapa të njëjtë me një astronaut që ecën mbi hënë… sot jemi si hapat e Usain Bolt kur bën nisjen e tij në garim 100 metërsh… Ky është realiteti, kjo është Shqipëria e tanishme. Eshtë edhe një tjetër premtim, gjuha shqipe… E pra, edhe ai është thuajse i përmbushur.

Nis rrugëtimi  – Jemi në prag të ndeshjes Gjeorgji-Shqipëri, në Tbilisi, që është testi i parë i De Biazit në stolin e Kombëtares. Besojeni apo jo, në fushë luajnë nëntë futbollistë nga Shqipëria dhe dy me prejardhje nga Kosova (Dallku dhe portieri Samir Ujkani), ndërsa tetë të tjerët janë produkte të kampionatit shqiptar (Lila, Agolli, Veliu, Bulku, Muzaka, Hyka, Roshi, Vila). i vetmi shqiptar i rritur jashtë është Edgar Çani. Në stol, Zeqiri, Bakaj, Sadiku, Shehi, Osmani dhe, sërish, një futbollist me prejardhje nga Kosova, Januzi. Eshtë Kombëtarja eksperimentale, aty ku trajneri dëshiron të kuptojë se “ku jemi”, ose më saktë, se sa punë kemi për të bërë. Ashtu si çdo trajner tjetër italian, menjëherë, provon skemën mbrojtëse, 4-5-1, tipike e një Kombëtare të vogël. Shqipëria shënon me Çanin, por humbet 2-1…  “Kemi punë për të bërë, doja të shihja mekanizmat e skuadrës. Suksesi fillon nga mbrojtja dhe aty duhet të përpiqemi të ndreqim shumë gjëra”.

 

Tre vjet punë intensive, teksa një rinovim i fituar me merita dhe djersë, në tetor të vitit 2013, ku presidenti i Federatës, Armando Duka, deklaroi se “objektivi i radhës është Euro 2016”.  Por, të kthehemi pak mbrapa, aty ku trajneri italian u fut pa ndonjë ovacion të madh, në laboratorin e tij. Udhëtime nëpër botë, axhenda e mbushur, shënime në bllok, video dhe USB e mbushur me materiale dhe informacione për çdo futbollist. Pas tij, ndihmësi Tramexani, që gjithashtu si një “scout” ka udhëtuar edhe në kampionatet më të humbura, deri tek historia e jashtëzakonshme në Kalmar, aty ku në “një fshat peshkatarësh, gjeta një portier”. Etrit, Berisha, portieri i Lacios dhe titullar i padiskutuar i Kombëtares sot. Por, Etriti është vetëm një nga eksperimentet dhe provat e italianit “në laborator”. Sigurisht, ashtu si në luftë, ku ka humbës dhe fitues, disa nuk dolën, si Edgar Çani, të cilit iu dha shumë besim, por që bëri hapa mbrapa në karrierë. E sikur të mos mjaftonin udhëtimet, trajneri hapi edhe facebook dhe aty kërkoi që çokush që kishte ndonjë sinjalizim për të bërë, ta shkruante. Rasti i Alban Mehës, mesfushorit nga Mitrovica. E ndërsa stafi i tij zgjerohej dhe “scout” gjithashtu, po merrte formë një Kombëtare e re. U deshën vetëm pak muaj që të kuptohej se me Xhani de Biazin sapo kishte nisur një cikël. Në Valadolid të Spanjës, ndaj Katarit, në fushë debutonte Mërgim Mavraj, sot lider i padiskutuar në mbrojtje (i dëmtuar për fatin e keq). Vetëm pak ditë më pas, në Stamboll, një tjetër debutues: Etrit Berisha, portieri nga Kalmari dhe 194 cm i gjatë. Sigurisht, Mërgim Brahimi është një tjetër emër, por ndryshe nga Mavraj, në Shqipëri nuk u shfaq më… (zgjodhi Zvicrën, vendim që e bëri të pendohej përjetë). Ndaj Moldavisë, rishfaqet Ledian Memushaj, pas dy vjetësh, kur kishte debutuar në Tiranë, në miqësoren Shqipëri-Maqedoni. Barazim pa gola dhe shumë kritika…

Por, ndoshta askush s’kishte vënë ende re se mbrojtja kishte pësuar vetëm 1 gol në tre ndeshje (ndaj Katarit). Ishin hapat e parë të një rruge që do ta çonte Shqipërinë gati drejt perfeksionimit të shumë mekanizmave. Mavraj-Cana, dyshe e konsoliduar në mbrojtje, teksa kualifikueset e Botërorit 2014 nisën me Ujkanin në portën kuqezi, ndërsa Etriti (“Titi” për shokët) priste momentin e tij, që erdhi. Shqipëri-Islandë, në “Qemal Stafa”, në një tetor të ftohtë dhe me shi. Dy gola të pësuar, njëri në dalje të gabuar, tjetri me goditje dënimi, për pozicionim jo të mirë. Mbarë opinioni publik në protestë dhe të gjithë duke kërkuar Berishën titullar. Ndonjëherë, edhe “zëri” i popullit duhet dëgjuar. Italiani ndryshon dhe që nga sfida me Slloveninë, Berisha bëhet gardiani i besuar i portës kuqezi. Ndërkaq, me Qipron, në hapjen e eliminatoreve për Brazil 2014, debutojnë Alban Meha dhe Burim Kukeli, tjetër i gjetur në sajë të udhëtimeve dhe shënimeve. Luan tek Grasshoper dhe Zvicra nuk e ka marrë në konsideratë. “Le të vijë në Shqipëri dhe ta provojmë. Flasin mirë për të”, shprehet De Biazi. Kukeli tregon se është një element efikas, teksa Meha mahnit me peçizionin në këmbët e tij. Kuqezinjtë fitojnë 3-1, por gjurmën e lë Bogdani, me një eurogol, kartolina më e bukur për një si ai, drejt fundit të karrierës. Në Lucernë pësojmë humbje, por rritemi psikologjikisht dhe nisim të hedhim hapat e parë të një Kombëtare që kërkon të dalë nga embrioni. Që të rritesh, duhet edhe të gabosh. Kështu, me Islandën, nga avantazhi përmbysemi. Por, marrim tri pikët ndaj Sllovenisë. Eshtë një Kombëtare ende jo fortë solide në mbrojtje, por që ka efikasitet përpara. Vendos një gol i Roshit. Teksa, përgatitet një tjetër “blerje”, i njohur nga trajneri italian, që e kishte stërvitur edhe tek Torino. Migjen Basha vishet kuqezi dhe debuton ndaj Norvegjisë, në Oslo, aty ku sërish një “ujk i vjetër” realizon një gol historik dhe na jep 3 pikë. Në fund të pjesës së dytë, zbret në fushë një djalosh vetëm 19-vjeç, që gjithashtu luan në Serinë B, me Empolin. Eshtë shkodran dhe ashtu si shumë shqiptarë, familja e tij emigroi në Itali për një jetë më të mirë. Koha kalon, teksa kuqezinjtë po marrin formë, si ajo plastelina që kur e kë në dorë të ngatërrohet fillimisht, por kur nis ta përpunosh, e ke më të lehtë tia ndryshosh strukturën. Në një “Qemal Stafa” të mbushur përplot, në një ditë të nxehtë qershori 2013, kuqezinjtë sfidojnë Norvegjinë, teksa në fushë është Valdet Rama, i marrë nga Real Valadolid në Spanjë, dikur pjesë e Orebros në Suedi. Dy driblime fantastike dhe gol. Tifozët dashurohen, teksa De Biazi vazhdon të mbajë shënime… Norvegjia barazon në fund dhe 1-1 ndryshon totalisht planet, duke shuar edhe shpresat për një kualifikim historik në Botëror. Por, në fushë është futur edhe një djalosh i ri në moshë, i ardhur nga Greqia, skuadra e PAOK-ut. E quajnë Ergys Kaçe (po, po, ai që realizoi një gol të jashtëzakonshëm vetëm dy ditë më parë ndaj Francës). Azdren Llullaku, i marrë tek Gaz Metan në Rumani, një tjetër emër interesant. Mbeten tre ndeshje, por aty kombëtarja nis një rënie: tre humbje dhe një barazim. Na mund Sllovenia në Ljubjanë, pas një ndeshje ku dominojmë plotësisht. Teksa, në fushë, shfaqen dy të rinj (Mehmedi dhe Abrashi). i pari vjen nga Novara, në Serinë B italiane, i dyti nga Grasshoper, shok skuadre me Kukelin. Jurgen Gjasula është një tjetër emër, i ardhur nga Gjermania, me origjinë nga Tirana. Për të dy s’ka vend, do të debutojë në Islandë. Por, në Reikjavik, humbasin 2-1, pasi kishim kaluar përpara me Ramën. Në “Qemal Stafa” vijnë Xhaka, Shaqiri & Co dhe Zvicra na mund 2-1, duke na dhënë një tjetër grusht. Natyrisht, fitojmë një tjetër futbollist, duke ia marrë Zvicrës, por askush nuk e ka mendjen… E quajnë Shkëlzen Gashi dhe luan me Grasshoper, aty ku janë edhe Kukeli dhe Abrashi, që kanë folur mirë për të. “Hiqeni këtë lojtar”, dëgjohet në tribuna. Koha do të flasë dhe e ka bërë më së miri. E mbyllim edicionin në Nikosia, Qipro… Barazim i vakët 0-0 dhe një lumë me kritika.

Kthesa e madhe – De Biazi është përballë një zgjedhje: të vazhdojë, ose të largohet. Opinioni gati e shkarkon, por italiani qëndron në këmbë dhe me bindjet e tij. “Dua të vazhdoj me projektin që nisa”, do të deklarojë për mediet. Presidenti Duka lëkundet, ndërsa alternativat s’janë fort të mira. Atëherë, takohen dhe bisedojnë: bien dakord për të rinovuar kontratën, për të provuar edhe një tjetër edicion, kualifikueset e Euro 2016. Italiani nuk humbet kohë dhe që në miqësoren me Kamerunin, e mbyllur 0-0 në Zvicër, provona skema të reja dhe Arapin në mbrojtje. Me Armeninë duket një farë ndryshimi: debuton Vullnet Basha, i vëllai i Migjenit. Teksa, Rama dhe Kaçe (eurogol) shënojnë golat e fitores. Sërish miqësore, ashtu si në garat me makina, kur duhet të testosh motorrin dhe gomat përpara se t’i provosh në një garë zyrtare. Ndërkaq, po nga Zvicra, është “zbuluar” një tjetër lojtar, Emir Lenjani. Luan tek St Galen dhe është mbrojtës i shpejtë krahu të majtë. Në fushë edhe Hysaj, në të 82’. Shkodrani priti momentin dhe u provua. Në “laborator”, De Biazi ka përdorur shumë epruveta, por ende jo atë të duhurën, për të vërtetuar se eksperimenti mbaroi. Në Bjellorusi mbyllet 0-0. Tre miqësore, dy gola të shënuar dhe asnjë i pësuar (Kamerun, Armeni dhe Bjellorusi). Ndërkohë, pa u ndjerë, sulmi ka parë Vajushin, Balaj dhe Sadikun, treshja shpërthyese e ekipit Shpresa. Hapa të tjetër për konsolidim, teksa përgatitemi për eliminatoret e Europianit.

 

Më 5 mars 2014, Shqipëri-Maltë, e vendosur nga dy golat e Bashës dhe Mehës, teksa rikthehet Memushaj, pas një mungese. Me kalimin e kohës është zhdukur Edgar Çani, që ka probleme me klubet ku luan. Thërritet Kapllani, ndërsa sulmi vuan jo pak. Shënojnë mesfushorët. Ndaj Rumanisë, në Yverdon, luajmë jo mirë, teksa “blerja” e radhës është Sokol Cikalleshi, djalosh i talentuar që luan tek Kukësi. Luan edhe Fidan Aliti, vetëm 19-vjeç dhe nga Maqedonia… (nuk do të debutojë në asnjë ndeshje zyrtare, të paktën deri tani). Skema 4-4-2 nuk bind, ndërsa edhe 4-3-2-1 i pazakontë për futbollistë, në Hungari, gjithashtu “ngel në klasë”. Shqipëria pëson humbjen e dytë radhazi në dy miqësore. Në San Marino, tjetër test, fitorja është e lehtë dhe loja bindëse (Mavraj, Vajushi dhe Vila autorët). Dy fytyra të reja, Amir Rrahmani dhe Albi Dosti, produkte të Superligës shqiptare. Mbyllet seria e miqësoreve, por shumë pak kanë vënë re se në 7 ndeshje, Shqipëria ka pësuar vetëm dy gola. Gjithashtu, shumë pak kanë parë se trajneri i ka provuar thuajse të gjithë dhe ka krijuar ide, duke seleksionuar. Por, veç kësaj, shumë pak kanë kuptuar se 4-3-2-1, me interpretuesit e duhur, bëhet një armë “vrastare” për kundërshtarët.

Forca e grupit – Nga Tbilisi në San Marino janë ndryshuar tetë futbollistë, pra 90% e ekipit. Teksa, kanë debutuar 31 futbollistë (!). Kombëtarja ka ndërruar “lëkurë” disa herë, por De Biazi ende s’ka gjetur formulën e duhur në laboratorin e tij dhe përveç se ka rregulluar mbrojtjen dhe i ka dhënë mesfushës cilësi dhe fizicitet, kërkon diçka më shumë nga sulmi, që s’mund të varet nga veteranët Salihi dhe Kapllani. Si me magji, në Portugali, ndaj Kombëtares lusitane, shkruhet historia: gol Bekim Balaj dhe fitore 1-0. Tri pikët e para në eliminatoret e Europianit 2016, në Francë, në një grup ku kemi edhe Serbinë, Armeninë dhe Danimarkën. Në Aveiro, ndërkaq, ka debutuar Taulant Xhaka, mbrojtësi i Bazelit dhe vëllai i “tradhtarit” Granit… për shqiptarët. Italiani, veç kësaj, ka mbyllur eksperimentet: skema 4-5-1 që kthehet në 4-3-3 sa herë që sulmojmë është idealja për këtë Shqipëri. Fitorja në fushën e Portugalisë (pa Ronaldon) është shenja se kundërshtarët duhet të na e kenë frikën. Në 11 tetor 2014, Shqipëri-Portugali në përurim të stadiumit të ri “Elbasan Arena”. Eshtë Lenjani ai që befason, me një gol spektakolar, por barazimi i skandinavëve me Vibe 9 minuta nga fundi rikthen një “sëmundje të vjetër” të kombëtares kuqezi, që në fund nuk di të menxhojë rezultatin dhe shpesh gabon edhe në pasimet elementare. Ndërkaq, ripropozohet 4-5-1, me një mesfushë Abrashi-Kukeli-Xhaka dhe krahët Lila e Lenjani. Beogradi është kapitulli më i shëmtuar… por më i vlefshmi: grupi bashkohet më shumë se kurrë dhe edhe ato klane të vogla që mund të ketë, zhduken. “Të gjithë për një, një për të gjithë”… Kombëtarja gjen një tjetër element, akoma më të rëndësishëm, teksa zhvillojmë dy miqësore lluksi që na përforcojnë bindjen se tashmë jemi një Shqipëri e Madhe, jo më e vogël. 1-1 në Renes ndaj Francës së Deshampit dhe humbje 1-0 në fund nga Italia e Kontes, pasi kishim goditur shtyllën dhe patur disa raste. Dikur, Shqipëria futej në fushë për të mos pësuar shumë gola… sot me dy shprehjet e legjendës së stolit të Italisë, Enco Bearzot “të mos pësojmë dhe të luajmë për të fituar”. Të luash ndaj Portugalisë, Danimarkës, Serbisë, Francës dhe Italisë, duke pësuar vetëm tre gola… Diçka që shqiptarët dikur do ta kishin realizuar vetëm në letër, me fjalë, ose në lojën e play station “Pro Evolucion Soçer” e “FIFA”, që e ka shpërfillur Shqipërinë ndër vite, por që tashmë do ta rendisë mes Kombëtareve, aty ku i takon. Në mars të këtij viti, në “Elbasan Arena” vjen Armenia dhe kuqezinjtë janë të pafat, me një autogol të Mavrajt, i rikuperuar “in extremis”. Në pjesën e dytë, përmbysja e madhe me Mavrajn dhe Gashin. Por, ajo që bie në sy më shumë nga të gjitha është mbajtja e topit: 63 me 37 për Shqipërinë. E frikshme…

Përpara dy ditësh, një histori që të gjithë dini: jashtë tetë titullarë, fitore 1-0 me një eurogol të Ergys Kaçes. E megjithatë, trajneri e mbyll me një “duhet të përmirësohemi, sidomos tek goditjet standarde, ku duhet të jemi më të kudjesshëm”. Laboratori s’është mbyllur, puna vazhdon dhe “dielli” s’mund të të dëmtojë sytë kur mban… syze

 

 

“Ushtria” e rekrutuar nga De Biazi

 

Portierë  

Etrit Berisha

Alban Hoxha

Orges Shehi

 

Mbrojtës

Mërgim Mavraj

Elseid Hysaj

Amir Rrahmani

Fidan Aliti

Renato Arapi

Arlind Ajeti

Naser Aliji

Arbnor Fejzullahu

Taulant Xhaka

 

Mesfushorë

Mërgim Brahimi

Burim Kukeli

Alban Meha

Ledian Memushaj

Migjen Basha

Amir Abrashi

Valdet Rama

Shkëlzen Gashi

Ergys Kaçe

Jurgen Gjasula

Armando Vajushi

Albi Dosti

Vullnet Basha

Emir Lenjani

Herolind Shala

 

Sulmues

Edgar Çani

Azdren Llullaku

Admir Mehmeti

Bekim Balaj

Armando Sadiku

Sokol Cikalleshi

 

 

Ndeshjet e italianit nën

drejtimin e Shqipërisë

 

Kualifikueset e Botërorit 2014

Shqipëri-Qipro              3-1

Zvicër-Shqipëri            2-0

Shqipëri-Islandë           1-2

Shqipëri-Slloveni          1-0

Norvegji-Shqipëri         0-1

Shqipëri-Norvegji         1-1

Slloveni-Shqipëri          1-0

Islandë-Shqipëri           2-1

Shqipëri-Zvicër 1-2

Qipro-Shqipëri 0-0

 

Kualifikueset e Europianit 2016

Portugali-Shqipëri         0-1

Shqipëri-Danimarkë      1-1

Serbi-Shqipëri               3-0*

Shqipëri-Armeni           2-1

 

Miqësoret

Gjeorgji-Shqipëri          2-1

Katar-Shqipëri             1-2

Iran-Shqipëri                0-1

Shqipëri-Moldavi          0-0

Kamerun-Shqipëri        0-0

Shqipëri-Gjeorgji          1-2

Shqipëri-Lituani            4-1

Shqipëri-Armeni           2-0

Shqipëri-Bjellorusi        0-0

Shqipëri-Maltë             2-0

Shqipëri-Rumani           0-1

Hungari-Shqipëri          1-0

San Marino-Shqipëri   0-3

Francë-Shqipëri            1-1

Itali-Shqipëri                 1-0

 

Bilanci total

11 fitore

7 barazime

10 humbje

 

Shqipëria e parë me De Biazin (4-4-1-1)

Ujkani

Lila Dallku Veliu Agolli

Muzaka Bulku Hyka Roshi

Vila

Çani

 

Shqipëria “bazë” e De Biazit (4-5-1)

Berisha

Hysaj Cana Mavraj Agolli

Roshi Xhaka Kukeli Abrashi Lenjani

Cikalleshi

redaktuar nga : Anton Cicani