De Biasi, 30 ndeshje Kuqezi
Ndeshja kundër Francës ishte “speciale” për Gianni De Biasi-n.
Ishte ndeshja e tij e 30-të në bankinën e Shqipërisë, qysh nga e para e tij, miqësorja e humbur 2-1 me Gjeorgjinë në Tbilisi, më 29 shkurt 2012. Rekordin përsa i përket ndeshjeve e mban gjermani Hans-Peter Briegel me 31 të tilla.
Fitorja ndaj Francës ishte e 12-ta, duke kaluar numrin e humbjeve, 11 (përfshirë atë 3-0 në tavolinë me Serbinë), por edhe me 7 barazime në bilanc, për me tepër që ka fituar ndaj Portugalisë së Cristiano Ronaldo, si sot ndaj Francës së Paul Pogba.
Edhe pse në një miqësore, ajo është fitorja e parë ndaj një skuadre që ka fituar Kampionatin Botëror (1998), madje nuk ka humbur asnjë në dy ndeshje ndaj “gjelave”, shto këtu dhe barazimin 1-1 në Rennes.
Ishte e para që ai e drejtonte Shqipërinë si nënshtetas i saj. De Biasi nga data 9 qershor 2015 është pajisur me pasaportë shqiptare, e dyta e tij pas asaj italiane, vendit të origjinës së tij.