De Biazi: Fitore e vuajtur, por erdhi në kohën e duhur

Trajneri kuqezi vlerëson forcën e skuadrës dhe shpreh pengun që nuk ka nëntë pikë pas katër ndeshjeve

Suksesi që ka vlerën e tri pikëve është një motiv shumë i madh për ta bërë të lumtur trajnerin e Kombëtares, Xhani De Biazi. Këtë gjë e pranon vetë italiani i stolit kuqezi kur shprehet: “Jam i lumtur për këtë rezultat që na jep tri pikë të rëndësishme, pasi erdhi në momentin e duhur. Pas humbjes me Islandën futbollistët ishin disi të demoralizuar, por sot (dje) ia dolëm të merrnim atë çka kërkonim nga 90- minutëshi me Slloveninë.

Arritëm një fitore ndaj një kundërshtari, i cili kishte elementë mjaft të mirë në përbërje të vet. Vuajtëm shumë në fund të takimit dhe kjo ishte arsyeja që hodha në fushë Dallkun dhe Currin, të cilit i besova edhe pse vinte pas një periudhe të gjatë që nuk luante me Kombëtaren.

Në përgjithësi luajtëm mirë, ku nuk na mungoi qarkullimi i topit dhe kalimet e shpeshta nga njëri krah në tjetrin të mesfushës. Jam i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve. Hedhjen në fushë të Salihit e bëra për faktin se i besoj eksperiencës së tij, ndërsa për Sadikun mund të them se në këtë takim doli disi nga ato detyra që unë i kisha dhënë dhe në fushë nuk dha atë që unë prisja prej tij.

Roshi më dha sinjale të mira që në ndeshjen me Islandën, ndërsa sot (dje) e tregoi se është i rëndësishëm për Kombëtaren, ashtu si edhe Agolli, aktivizimin e të cilit, që të tregohem i sinqertë e kam vendosur në momentet e fundit dhe jam i kënaqur që nuk më zhgënjeu.

Dua të shtoj edhe faktin se kjo skuadër ka një shpirt të lartë sakrifice dhe që kërkon gjithmonë të arrijë rezultate të mira. Mjafton të kujtoj këtu rastin e Mavrajt, i cili luajti dy takimet e fundit me një frakturë në brinjë. Si përfundim do të doja të shprehja edhe zhgënjimin tim për sa i përket komenteve të fundit në media për humbjen me Islandën.

Skuadra edhe kur humbet luan mirë dhe do doja t’u kërkoja që të ulim disi euforinë para çdo takimi, pasi kjo nuk i bën mirë edhe futbollistëve. Pengu im i vetëm pas përfundimit të këtyre katër takimeve të para të eliminatoreve për Botërorin e Brazilit është shansi i humbur për të pasur 9 pikë deri në këtë fazë. Megjithatë, për momentin le të shijojmë këtë fitore.
 

Fonte: Sporti Shqiptar