Xhani De Biazi: Kush nuk luan me klubet nuk thirret në kombëtare

Në një intervistë në “Skaner” në televizionin “albanianscreen”, trajneri i kombëtares shqiptare Xhani De Biazi tregon për problemet që ka hasur së fundi me disa lojtarë si Kaçe dhe Azemi, ndërkohë që i thur elozhe mbrojtësit Elseid Hysaj që luan tek Empoli. Trajneri italian i kuqezinjve paralajmëron se kush nuk luan me klubet, nuk do të thirret në përfaqësuese. Xhani De Biazi analizon situatën aktuale të lojtarëve të Kombëtares, për të cilët beson se kanë të ardhme, por duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë.

Edgar Çani që shkon te Katania?
I thashë drejtorit të Katanias që është i zoti dhe kjo eksperiencë do e ndihmojë. Do ta ketë të vështirë, por do t’i gjejë hapësirat.
Sulmuesit që nuk luajnë?

Kush nuk luan në skuadrën e tij, mbetet jashtë. Me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë. Nëse dikush ka ndonjë rëndësi të jashtëzakonshme, atëherë mund të shohim. Por ama ky është një rregull i përgjithshëm.

Mister, a keni marrë ndonjë ofertë për të trajnuar në Serinë A?
Nuk kam dëshirë të trajnoj në Serinë A, me përjashtim të Juventusit… Mora një ofertë nga një klub i madh europian, por nuk mund t’jua them emrin, sepse atje ka shkuar një miku im.

Sa lojtarë shqiptarë mund të luajnë në Serinë A?
Disa prej tyre mund të luajnë në Serinë A, ndonëse jo në skuadra elitare që në fillim. Kam 20 vite që punoj në Itali dhe ndonjëherë drejtorët e klubeve më pyesin për lojtarët e Kombëtares. Por unë nuk jam menaxher. Gjithsesi, po ju them se janë të paktën tre lojtarë për të cilët interesohen. Madje mund t’ju konfirmoj se Katania do kishte marrë edhe një lojtar tjetër tonin, por ai ishte ekstrakomunitar.

Ujkani po vuan te Palermo?
Ujkani vuajti një riformatim të Palermos. Në disa raste ishte edhe i pafat. Herët a vonë do t’ia dalë. Etrit Berisha është ndryshe. Ai është i qetë dhe po punon për të shkuar në Serinë A, por është ekstrakomunitar.

Po Elseid Hysaj, që pritet të debutojë kundër Gjeorgjisë?
Është një lojtar i qetë dhe me personalitet. Mund të jetë i rëndësishëm për ekipin përfaqësues. Ai ka dëshirë të luajë për Kombëtaren tonë, sepse është 100 për qind shqiptar. Ai do të japë kontributin e tij këtu. Ka cilësi të mira si mbrojtës, por duhet të tregohet i mençur dhe serioz.

Po Kabashi, i cili pak ditë më parë u grumbullua nga skuadra e parë e Juventusit, si ju duket?
E kam ndjekur dhe ka cilësi të mira. Tani po kalon një moment të rëndësishëm, sepse po kalon nga fëmijët tek të rriturit. Nëse ai do të luajë, qoftë edhe në Serinë B, do të kishte shumë avantazhe. Duhet të ketë durim, sepse ka teknikë dhe fizik shumë të mirë.

Udhëtuat mijëra kilometra, por a e bindët Kaçen të zgjedhë Shqipërinë?
Është një situatë shumë e veçantë. Ai luan në Greqi me PAOKU-un. Ka cilësi të mira. Por për motive familjare, duhet të pajiset me pasaportë greke. Është e rëndësishme që të vijë me Shqipërinë, sepse i bën punë skuadrës, por ama edhe e kupton se këtu i ka rrënjët. Ne nuk kemi shumë lojtarë në dispozicion. Duhet të kemi sa më shumë lojtarë cilësorë rreth skuadrës. Nga pikëpamja fizike, por edhe nga roli, ai i ngjan shumë Lalës. Mendoj se ndryshimi është se ai arrin të ketë edhe një vizion për lojën me topa të gjatë, ndërsa Lala ishte më shumë i fokusuar te loja me pasime të shkurtra.

Ilir Azemi, një tjetër lojtar i pavendosur për Shqipërinë?
Azemi ka një menaxher gjerman që… Më mërziti aq shumë sa unë i këshillova të ndërrojë menaxher… qesh. Menaxheri thotë se mund të luajë me Gjermaninë, ndërkohë që vetë sulmuesi dëshiron që të luajë me Shqipërinë. Ndikohet shumë nga menaxheri. Nuk di çfarë të them.

Dy fitore dhe dy humbje në krye të Kombëtares…
Do të doja ndonjë barazim në ndonjë ndeshje që kemi humbur. Tani luajmë në mënyrë më të zgjuar dhe më të organizuar taktikisht. Kemi edhe një shpirt skuadre të mirë. Po krijojmë mentalitetin e duhur.

A do të jetë viti i Kombëtare?
Shpresojmë të gjithë. Kemi edhe gjashtë ndeshje shumë të vështira. Nëse do jemi të bindur se mund t’ia dalim, atëherë mendoj se mund t’ia dalim. Ne po punojmë në një moment tranzicioni. Po punojmë për këtë edicion, por edhe për të pasur një skuadër solide dhe me bosht për Euro 2016 që do të luhet në Francë. Duka po përpiqet maksimalisht, por ne jemi të limituar në numra. Kemi pak zgjedhje. Mund të luajmë si të barabartë me Luksemburgun, por me të tjerat kemi probleme…

Shpesh Duka është kritikuar për trajnerët e huaj…
Pyetjen bëjani Dukës. Nuk mund të përgjigjem unë. Edhe në kombëtare të tjera drejtojnë të huajt. Një italian drejton në Rusi (Kapelo)….

Ju shqetëson fakti që keni shumë sulmues në dispozicion?
Jo, aspak. Më vjen keq vetëm për Kapllanin, sepse doja që ta ftoja kundër Gjeorgjisë, por fatkeqësisht u dëmtua dhe do të qëndrojë rreth 6 javë jashtë. 

Fonte: Sporti Shqiptar