De Biazi: T’ju vijë turp atyre që mohojnë kombin

TIRANE- Xhani De Biazi kërkon një tjetër sukses në krye të kombëtares shqiptare sot në mbrëmje, por trajneri italian pranon se do të ishte i kënaqur edhe me një barazim. Në një intervistë të gjatë për gazetën zviceriane “Neue Burcher Zeitung”", tekniku i përfaqësueses shqiptare tregon emocionet e provuara në “Qemal Stafa”, por edhe karrierën e re në krye të një skuadre që kërkon të afirmohet në Evropë.

“De Biazi është një motivues i madh dhe një trajner me mentalitet fituesi”, thotë Gokhan Inler, i cili është drejtuar nga De Biazi në kohën kur luante me Udinezen.
De Biazi, Shqipëria e vendosi ndeshjen me Qipron në fund. Sa i vështirë ishte ky start i eliminatoreve të Kupës së Botës?
E dinim që para ndeshjes se ndaj Qipros do të ishte e vështirë. Por, morëm fitoren dhe them se e merituam.
Besoni se mund ta përsërisni këtë sukses ndaj një skuadre favorite në grup si Zvicra?
Përveç nesh, edhe Zvicra mori një fitore të madhe ndaj një kundërshtari të fortë. Të fitosh në Slloveni, do të thotë që ke luajtur mirë dhe je ekip i mirë. Zvicra, Sllovenia e Norvegjia janë favorite për t’u kualifikuar. Nëse ne arrijmë të katërtit, do të jetë një rezultat i mirë.
Si mund ta përshkruani jetën tuaj si trajner i Shqipërisë?
Me pesë anëtarët e stafit tim, udhëtojmë shumë nëpër Evropë. Mundohemi të shohim sa më shumë lojtarë, duke shkuar në Itali, Gjermani, Suedi, Zvicër, Ukrainë, madje edhe në Iran e Azerbajxhan. Kjo është e kushtueshme dhe e komplikuar. Unë jetoj në Koneljano, në verilindje të Italisë dhe udhëtoj për në Shqipëri e për në vende të tjera ku ka shqiptarë apo të shoh ndeshjet e ekipeve shqiptare në Kupat e Evropës. Por, kjo nuk ndodh vetëm në futbollin shqiptar…Ky është realiteti. Kultura e futbollit në Shqipëri ka nevojë të përhapet më shumë. Sa për organizimin e disiplinën, them se shqiptarët kanë ç’të mësojnë nga Italia.
Pra, ju duhet të bëni shumë punë bazike?
Lëvizja është relativisht e re dhe në përpiqemi ta promovojmë atë. Shumë shqiptarë kanë emigruar në vitet ’90 dhe shumë talente kanë lindur jashtë. Tani ata i interesojnë kombëtares. Shumë zgjedhin atdheun e tyre të ri, si Xhaka apo Shaqiri.
Sa e vështirëson kjo punën tuaj?
Ne kemi shumë lojtarë të rinj në federatat e tjera. Mendoj se është e turpshme që ata pranojnë të luajnë për një vend tjetër dhe jo për vendin e tyre. Nga Ballkani vijnë gjithmonë lojtarë shumë të mirë. Pse?
Talentet e jashtëzakonshme vijnë përherë nga vende të varfra. Pse? Sepse mënyra e vetme për të kaluar kohën është më topin, që kushton shumë pak dhe 22 fëmijë mund të bëhen bashkë në çdo kohë. Shqipëria aktualisht nuk ka ndonjë superlojtar, por ka shumë lojtarë të mirë. Talente duhet të ketë edhe në Ligën e Shqipërisë, që kanë një nivel shumë të ulët… I ulët është edhe niveli i vetë Ligës. Njerëzit janë të çmendur pas Serisë A. Kampionati vendas duket si i persekutuar nga tifozët. Në Lucernë ndoshta 1/3 e stadiumit do të jetë me shqiptarë dhe jam i sigurt se ata do të krijojnë më shumë zhurmë sesa zvicerianët.
Çfarë vështirësish mendoni se do të keni ndaj Zvicrës?
Edhe pse në momente të ndryshme ndeshja mund të jetë e balancuar, diferencat do të ndihen gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj në cilësi dhe aftësi. Çfarë keni frikë nga loja e kombëtares shqiptare?
Disiplinën taktike. Lojtarët tanë mund të tejkalohen nga entuziazmi, ndaj më duhet shumë punë për t’i frenuar në këtë drejtim. Në këtë aspekt ne mund të bëjmë përparim, duke ruajtur shpirtin e tyre luftarak dhe duke i disiplinuar ata.
E keni parë punën e Zvicrës me të rinjtë?
Nuk është rastësi që ajo ka kaq shumë lojtarë të mirë, duke patur luksin të bëjë zgjedhje për kombëtaren. Pa organizim nuk shkon asgjëkundi. Zvicerianët janë zvicerianë, janë gjithë të mirëorganizuar.
A mund të aplikohet ky model në Shqipëri?
Kemi një infrastrukturë të keqe. Fushat janë të tmerrshme. Stadiumi kombëtar është ndërtuar që në vitet ’40. Në Zvicër është komplet ndryshe.
Cili mund të jetë objektivi për skuadrën shqiptare?
Kurrë nuk duhet të dorëzohemi dhe të besojmë në ëndërr. Kur mora drejtimin e Modenës në Serinë C1, ajo ishte e parafundit. Ne siguruam qëndrimin dhe një vit më vonë shkuam në Serinë B e më pas në A. Edhe tani unë dua që të bëjmë të pamundurën. Ndonjëherë ndodh, ndoshta pas një viti e gjysmë.
Pse e latë punën si trajner klubi në Itali për Shqipërinë?
Ky është hapi i parë në një profesion ku dua të punoj në 10 vitet e ardhshme. Trajneri i kombëtares është diçka mes trajnerit të klubeve dhe menaxherit. Diku do ta nisja këtë punë. Edhe në Itali e nisa në Serinë C2, por më pas shkova deri në A.
Sa e vështirë është jeta e një trajneri në Itali?
Të stërvis, për mua është gjëja më e lehtë në botë. Gjëja më e vështirë është t’i mbijetosh një mjedisi, ku lëvizin shumë njerëz që nuk kanë lidhje me futbollin.
Cilët nënkuptoni me këtë?
Menaxherët kanë tregun e futbollit nën kontroll, ata vendosin për jetën ose vdekjen e futbollistëve dhe të trajnerëve. Unë nuk kam patur kurrë menaxher.
Çfarë kujtoni nga Xhemajli kur drejtonit Torinon dhe Inleri tek Udineze?
Janë të dy futbollistë fantastikë. Unë Xhemajlin e mora nga Boltoni te Torino. Ndërsa Inler ka gjithçka: është i fortë, ka cilësi, precizion. Ai flet pak dhe sillet mirë. Si kapiten i kombëtares, tani ka më shumë besim te vetja. Mendoj se është e ardhmja e kombëtares zviceriane.

Fonte: Balkanweb