De Biazi: E merituam fitoren, Mërgim Mavrajt i “heq kapelen”

De Biazi shijoi fitoren e parë me pasaportën shqiptare. Një fitore e vështirë, me përmbysje, që i ka kënaqur pa masë të gjithë shqiptarët, sepse u mbajt gjalla ëndrra e madhe, e parealizuar deri më tani, shkuarja në finalet e një kompeticioni madhor, Kampionati Europian. Trajneri tha se ka mbetur i kënaqur nga skuadra: “Planet i kishim bërë duke mos menduar asnjëherë disavantazhin. Në momentin që ndodh dicka në fushën e lojës, merren masa për të riparuar atë gjë që nuk shkon dhe për të parë më pas se cfarë mund të bëhet. Në fillim e nisëm shumë keq, ndërkohë që ëe pjesën e dytë u përmirësuam shumë. Atë gol e kemi shënuar vetë, pasi i dhamë mundësi një lojtari si Mkhitarjan që të na driblonte shumë lehtë dhe të sillte atë autogol nga Mavraj.

Mendoni se kjo ishte një fitore që erdhi jo vetëm nga fusha, por edhe nga zëvendësimet që kryet?

Kemi luajtur me disa zgjedhje të tjera dhe që kanë qenë të detyruara nga forma e lojtarëve dhe sidomos nga minutat që kanë pasur në ekipet e tyre. Në pjesën e dytë, Gashi dhe Lenjani u futën që të mund të mbeshtesnin më shumë Cikalleshin dhe të qëndronin pranë tij për ta ndihmuar në sa më shumë situata. Lenjani ka pasur pak minuta me skuadrën e tij dhe nuk mund të luante që nga minuta e parë.

Ndoshta Lenjani dhe Gashi mund të ishin zgjedhjet tuaja që në fillim?

E thashë që Lenjani ka qenë në një formë shumë të mirë, ashtu si edhe Gashi. Megjithatë, jam i lumtur që Gashi hyri në fushë dhe shënoi, duke na dhënë fitoren.

Sa pranë kualifikimit dhe “play-off”-it na çon kjo fitore?

Duhet ende shumë punë. Ka akoma shumë takime dhe sot (dje) janë mbyllur vetëm ndeshjet e para. Tashmë janë për t’u luajtur edhe ato të kthimit. Tashmë, shpresojmë që më 17 prill të vendoset drejtësi dhe të marrim atë që meritojmë nga ajo ndeshje në Beograd. Për sa i përket kualifikimit, ne do të jemi më pranë se kurrë pas vendimit që do të marrë KAS-i në Lozanë për ndeshjen Serbi-Shipëri. Presim tri pikët dhe atëherë jemi më të sigurt dhe do të ecim drejt ëndrrës që kemi nisur.

Kujt do t’i besoni në të ardhmen, modulit të pjesës së parë, apo atij të pjesës së dytë, që solli fitoren?

Kemi luajtur me të njëjtin modul loje, vetëm se ka pasur ndryshim në rolin e disa lojtarëve dhe kanë qenë disa të tjerë nga ndeshjet e mëparshme. E përsëris që pjesën e parë e nisëm keq dhe gabuam në disa momente, si dhe disa nga lojtarët nuk luajtën mirë. Kjo vjen edhe për shkak se ata kanë pasur pak minuta me skuadrat e tyre në periudhën e fundit.

Edhe sa do të presin shqiptarët për të festuar atë që ëndërrojnë të gjithë?

Sot do të festojmë sepse fituam, por duhet akoma shumë punë për të arritur aty ku synojmë. Rëndësi ka që jemi në rrugë të mbarë. Dua t’i falënderoj të gjithë futbollistët për paraqitjen e tyre në fushë. Por, dua të vecoj Mërgim Mavrajn. Ai pati disa probleme gjatë gjithë javës stërvitore, por i la mënjanë të gjitha këto dhe hyri në fushë, duke shënuar edhe golin e barazimit. Dha shpirtin në fushë dhe është për t’i hequr kapelen.

Sa ndikoi falja në kishë përpara ndeshjes për këtë fitore?

Normalisht, shkova në kishë për t’u falur dhe për ta lutur Zotin për fitoren. Por, pasi erdhën kamerat e televizioneve nuk mund të qëndroja deri në fund. Mirëpo, ne krijuam raste, pasi bëmë 3 shtylla dhe lojë shumë të mirë. E merituam fitoren dhe ndihma e Zotit ishte e pranishme në këtë 3-pikësh.