De Biazi: Dua ta fitoj ndeshjen time të parë si shqiptar

Nga Durrësi – Trajneri i Kombëtares, italiano-shqiptari Xhani De Biazi, tha se gjatë konferencës për shtyp se për të fituar ndaj Armenisë, duhet të përgatitemi mirë. “Kjo është ndeshja më e rëndësishme, duhet ta përgatisim me qetësi. Duhet të japim më të mirën tonë, për ta fituar. Duhet shfrytëzojmë çdo mundësi që do të na krijohet”. Shqipëria ka probleme në mbrojtje: Mavraj është i dëmtuar, ndërsa Ajeti nuk mori dot lejen nga FIFA për t’u aktivizuar. “Në fakt, kishim nevojë për këta dy lojtarë. Ajeti do të mungojë për probleme burokratike. Mavraj është ende në dyshim, por për të do të vendos nesër paradite. Duhet të luajmë me shumë kujdes në mbrojtje. Gjithsesi, besoj se e kemi lojtarët e duhur për në mbrojtje. Curri mbetet një alternativë”. I pyetur nga portali Telesport.al, nëse e dëshironte me çdo kusht fitoren në ndeshjen e tij të parë si shtetas shqiptar, Xhani De Biaiz u përgjigj. “Unë edhe sikur të isha italian, shqiptar apo kongolez, do të doja të fitoja ndeshjen. Por, fakti që kjo është ndeshja e parë si shqiptar do të ishte një kënaqësi më shumë. Do të doja ta fitoja për të gjithë shqiptarët që më njohin, më takojnë rastësisht, për të gjithë tifozët kuqezinj”. Në lidhje me aktivizimin nga minuta e parë e Shkëlzen Gashit, De Biazi tha: “Formacionin do ta vendos vetëm pak orë para ndeshjes, pra nesër”. I pyetur nga Telesport.al, nëse do të arrinim fitoren e parë me Armeninë në ndeshjet zyrtare, pasi kemi vetëm një barazim (1-1) dhe një humbje (3-0), De Biazi. “Të gjithë duam fitoren, por kjo është një nga ato ndeshje që i ka të tri rezultatet në dispozicion. Shumë varet nga ne, nga mënyra sesi do të luajmë, në përqendrimin në lojë. Ua përsëris nuk është një ndeshje e lehtë, por ne sigurisht që ne do të luajmë për fitore”. Mediet armene shkruajnë se, fati i Armenisë varet në Shqipëri, duke e konsideruar edhe si trenin e fundit. I pyetur nga Telesport.al, se çfarë strategjie ka De Biazi për të nxjerrë nga gara për vendin e tretë një prej rivalëve, ai u përgjigj. “Para ndeshjeve të gjithë mund të thonë gjithçka, por duhet të jemi të aftë për të bërë një lojë më mirë se kundërshtari, dhe pastaj duhet të jemi të përqendruar. Mendoj se do të vendosin jo pak detajet, prandaj na duhet një ndeshje perfekte”.

Dash Frasheri