De Biazi: Shqipëria ime, kartëvizita më e bukur për Europën
- Kontaktin e parë me Shqipërinë e kam pasur nëpërmjet një gazetari sportiv, që më ka pyetur nëse isha i interesuar për të drejtuar një kombëtare. Unë sapo kisha mbyllur eksperiencën tek Udineze dhe doja një mundësi tjetër për të treguar vlerat e mia.
- Pas tri vitesh e gjysmë jam nderuar me nënshtetësinë shqiptare, të cilën e kam marrë direkt nga duart e Presidentit të Republikës, Nishani, i cili ma ka dhënë para ndeshjes me Armeninë, para gjithë lojtarëve të mi dhe drejtuesve të federatës.
Trajneri italian ka analizuar ecurinë e kuqezinjve dhe efektin që ka pasur kombëtarja në marrëdhënien mes dy vendeve. Në një intervistë për “grandain.com”, ai është shprehur: “Emocionin më të madh e kam provuar në miqësoren e Gjenovës kundër Italisë, kur 23 mijë shqiptarë kanë kënduar ”Himnin e Mamelit”.
Një italian, tani me pasaportë shqiptare, po çon përpara një mrekulli të vogël në drejtimin e kombëtares së Shqipërisë, që pas vendimit të Gjykatës Sportive të Arbtrazhit të Lozanës për t’i dhënë fitoren 3-0 në tavolinë kundër Serbisë, është më afër ëndrrës për të marrë pjesë në fazën finale të “Euro 2016”.
Shqipëria është gjithnjë e më afër Europës, edhe me futbollin, përveçse në aspektin politik?
Është e pamohueshme se në tri vitet e fundit, vendi i “shqiponjave” i është afruar më shumë objektivit që kërkohet të arrihet nga shumë shqiptarë: futja në Europë. Edhe ne, me kombëtaren tonë, po japim një kontribut në këtë aspekt, duke tejkaluar çdo parashikim optimist të bërë në fillimin e kësaj aventure, edhe pse jemi në një grup të hekurt me Portugalinë, Serbinë dhe Danimarkën. Pas vendimit për ndeshjen me Serbinë mund të themi se Shqipëria po kalon një moment pozitiv.
Tani ju përfaqësoni edhe pritshmërinë dhe ndjenjat pozitive që kanë për këtë vend italianët, të cilët jetojnë në Shqipëri…
Populli shqiptar e ka parë gjithmonë Italinë si një dritare, që e lidhte me Perëndimin. Pas 40 vitesh izolim nga bota, me përjashtim të marrëdhënies me Rusinë dhe Kinën, e shikonin vendin tonë siç kanë bërë gjyshërit tanë me Amerikën. Ai rrip i Adriatikut mes dy vendeve, që për 45 vite na ka ndarë si të ishte një oqean, e ka bërë të mundur gjithë këtë.
E mbaj mend akoma shumë mirë zbarkimin e parë në Bari të anijes “Vlora”, çerekshekulli më parë. Takoj shumë italianë gjatë qëndrimit tim në Tiranë, ose gjatë lëvizjeve të mia, dhe shikoj se me sa pasion ndjekin atë që po ndërtojmë me kombëtaren shqiptare. Ndihen të përfshirë dhe pjesëmarrës në aventurën tonë. Duket sikur kjo ëndërr, që po materializohet, përfaqëson një kartëvizitë unike për të njohur një komunitet dhe një vend, duke hedhur poshtë paragjykimet dhe steriotipet.
Ju simbolizoni integrimin perfekt mes dy vendeve. Drejtuesit e vendit ju kanë dhënë nënshtetësinë një vit para kohës që parashikohet me ligj. Një arritje brenda arritjes?
Për mua ka qenë më e lehtë përshtatja dhe ambientimi për shkak të rolit tim, por besoj se Tirana dhe shqiptarët janë shumë të hapur kundrejt nesh. Pas tri vitesh e gjysmë jam nderuar me nënshtetësinë shqiptare, të cilën e kam marrë direkt nga duart e Presidentit të Republikës, Nishani, i cili ma ka dhënë para ndeshjes me Armeninë, para gjithë lojtarëve të mi dhe drejtuesve të federatës
Një kuriozitet historik. Kur dhe si jeni afruar me vendin e “shqiponjave”?
Kontaktin e parë e kam pasur nëpërmjet një gazetari sportiv, që më ka pyetur nëse isha i interesuar për të drejtuar një kombëtare. Unë sapo kisha mbyllur eksperiencën tek Udineze dhe doja një mundësi tjetër për të treguar vlerat e mia.
Në fillim kam thënë se nuk më interesonte. Pas disa ditësh, i njëjti gazetar më ka kërkuar që të paktën të takohesha me drejtuesit e federatës. Dy ditë më pas, në një hotel të Milanos, jam takuar për herë të parë me presidentin Duka dhe disa anëtarë të federatës. Pak ditë më vonë më njoftuan se më kishin zgjedhur mua si trajnerin e Shqipërisë.
Çfarë keni ndier kur jeni përballur me Italinë në Gjenovë, ku ka pasur më shumë tifozë shqiptarë sesa italianë?
Në konferencën time të parë për shtyp, një nga pyetjet e para ka qenë: “Kur do të luajmë kundër Italisë?” Unë kam bërë gjithçka është e mundur që kjo miqësore të realizohej që në kohën kur “axurrët” drejtoheshin nga Prandelli, por nuk ishin krijuar akoma kushtet. Më pas jam takuar me Antonio Konten në Shën Petërsburg, në një konventë të UEFA-s. Ai, prej pak kohësh trajner i Italisë, kërkontë një kundërshtar për një miqësore pas ndeshjes me Kroacinë.
Në pak minuta kemi arritur një marrëveshje. Më 18 nëntor, në stadiumin “Marassi” të Gjenovës, u zhvillua kjo miqësore. Një atmosferë unike, dukej sikur ishim në Shqipëri. Stadiumi ishte i mbushur me simbolin e “shqiponjave” dhe tifozët kuqezi ishin më të shumtë në numër. Momenti më i bukur për mua ka qenë gjatë ekzekutimit të himnit të Italisë: të dëgjoje 23 mijë shqiptarë që këndonin “Himnin e Mamelit”, ka qenë një nga emocionet më të bukura që kam provuar dhe kjo tregon qartë, përtej çdo debati sociologjik, integrimin kolektiv të këtij populli në Itali.