De Biazi: Totalisht i fokusuar për ndeshjet e shtatorit

  • Pasi ka bërë disa ditë pushime me familjen e tij në Sardenja, trajneri i Kombëtares shqiptare ka ndjekur ekipet shqiptare në Europë
  • “Tani ndodhemi në vazon e tretë dhe kemi shansin që të kemi kundërshtarë më të dobët, por nuk i dihet fatit të goglave. Unë dua të shmang ekipet që renditet të parat e renditjes, si Gjermania apo Belgjika”
  • “Vendimi për ndeshjen me Serbinë është shtyrë disa herë dhe nuk di nëse kjo është diçka e mirë ose jo. Nuk dua të flas me shumë, pasi mund të zhgënjehemi në fund, por verdikti i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv është i rëndësishëm për të ardhmen e Kombëtares”

Por më shumë se ndjekja e ndonjë elementi te ekipet shqiptare që luajnë në Europë, De Biazi e ka mendjen për ndeshjet e shtatorit, me dy kundështarë të forte, si Danimarka e Portugalia. Në një intervistë për Televizionin Klan, tekniku me pasaportë shqiptare, thotë se do të aktivizojë lojtarët më në formë, në një formacion të ngjashëm me atë që fitoi ndaj Armenisë.

De Biaziiii

De Biazi gjatë një konference për shtyp me menaxherin e Kombëtares, Alban Bushi

“Do të luajmë në shtator me dy kundërshtarë tepër të fortë, që do të na e vështirësojnë punën. Në atë moment kampionatet janë në fillimin e tyre dhe do të afrohen natyrisht ata lojtarë të cilët janë më në formë. Do të jetë një formacion i thuajse i ngjashëm me atë që patëm në takimin me Armeninë, duke përjashtuar të dëmtuarit e mundshëm, natyrisht Mavrajn”, – thotë në fillim De Biazi.

Rruga drejt finaleve të “Euro 2016” kalon nga e famshmja ndeshje me Serbinë, që pritet të ketë një vendim përfundimtar pas disa ditësh, më saktë më 10 korrik, në rast se nuk do të ketë shtyrje tjetër të vendimit të CAS-it. Ja si e mendon tekniku italian këtë:“Vendimi për ndeshjen me Serbinë është shtyrë disa herë dhe nuk di nëse kjo është diçka e mirë ose jo. Nuk dua të flas me shumë, pasi mund të zhgënjehemi në fund, por verdikti i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv është i rëndësishëm për të ardhmen e Kombëtares.

Gjici-dhe-De-Biazi

Loja e kuqezinjve është rritur në nivel me kalimin e viteve dhe kjo ka bërë që në shortin e kualfikueseve të Kupës së Botës 2018, të jetë në vazon e tretë. De Biazi shpreson në një grup të favorshëm, short që do të hidhet në fund të korrikut, më 25:“Tani ndodhemi në vazon e tretë dhe kemi shansin që të kemi kundërshtarë më të dobët, por nuk i dihet fatit të goglave. Unë dua të shmang ekipet që renditet të parat e renditjes, si Gjermania apo Belgjika, dhe të kemi përballë skuadra që janë më të arritshme për ne”.

De Biazi komenton edhe paraqitjen e parë të ekipeve shqiptare në Europë: “Rezultati i Laçit nuk më pëlqeu, pasi ka treguar një lojë të mirë gjatë sezonit. Kukësin e ndoqa në stadium. Mendoj se mund të kishte arritur një fitore më të thellë, që do t’i siguronte kualifikimin. Më vjen keq për Partizanin, por ka mundësi që ta kthejë rezultatin në Tiranë, megjithatë kjo varet edhe nga gjendja e futbollistëve. Skënderbeu është një garanci, pasi ka rreth 5 vite që fiton dhe është një realitet që mund të çojë një ekip shqiptar që të shkojë në fazën e grupeve”.

Veç skuadrave shqiptare, ai është i vëmendshëm edhe ndaj zhvillimeve të tjera në vend, veçanërisht pasi ka marrë nënshtetësinë shqiptare. Por shpreh keqardhje që nuk pati mundësi të votojë në zgjedhjet e 21 qershorit:“Nuk votova, pasi nuk e kisha emrin në listë, koha ishte e pamjaftueshme për t’u përfshirë, pasi kisha pak kohë që isha nënshtetas shqiptar. Herën tjetër ndoshta mund të votoj”. Ndoshta Xhani De Biazi do të jetë trajneri i Kombëtares edhe pas “Euro 2016”, por e ardhmja e tij do të varet edhe nga objektivi i kualifikimit në këtë aktivitet.

Eduard Ilnica, më 4 July , 2015 | 105 shikime