Flet De Biazi: UEFA gaboi që na përballi me Serbinë, nuk kam problem me lojtarët gej

Xhani de Biazi është i pakënaqur me faktin se ka në grup Serbinë. Jo vetëm sepse kemi të bëjmë me një kundërshtar cilësor, por sepse kjo ndeshje mbart në vetvete edhe tension të lartë ekstra-futbollistik. I ftuar në emisionin “Kontrata” të Sonila Meços në “Agon Channel”, trajneri i Shqipërisë ka deklaruar, ndër të tjera, se nuk ka asnjë problem me futbollistët gej, për aq kohë sa ata nuk cenojnë integritetin dhe jetën e të tjerëve në grupin që ai drejton.
Serbia “Sapo doli emri i Serbisë, më erdhën shumë mesazhe nga tifozët, të cilët thoshin: ju lutem ndeshjen e kthimit ta bëjmë në Shqipëri, ndërsa të parën jashtë Shqipërisë. Megjithatë, unë mendoj se ka qenë një zgjedhje shumë e gabuar nga ana e UEFA-s që nuk vuri një opsion që, nëse ne do na binte në grup me Serbinë, të mos na linin të luanim me njëri-tjetrin. Kjo për motivimin e vetëm të sigurisë publike, sepse e dimë cilat janë problemet dhe ngjarjet që kanë ndodhur jo shumë kohë përpara. UEFA vendosi që Azerbajxhani të mos takohej me Armeninë. Kjo u shmang për arsye sigurie dhe mendoj se e njëjta gjë duhet të ndodhte me Serbinë. Mendoj se do ishte një zgjedhje inteligjente”, ka thënë De Biazi.
Homofobia “Sa i përket përvojës sime si futbollist dhe më pas si trajner, asnjëherë nuk jam gjendur në situata ku të kishte futbollistë të kësaj natyre. Gjithashtu mendoj se, nëse dikush ka prirje seksuale të tilla, nuk përbën ndonjë problem të madh. Për mua e rëndësishme është që ai të qëndrojë brenda sferës së tij personale. Në qoftë se ka një keqdashje ndaj kësaj gjëje, në qoftë se është ambienti që nuk e pranon, unë dal kundër, sepse jam për lirinë e njerëzve. Mendoj që secili të bëjë atë që do dhe të shfaqë prirjet e tij, qofshin seksuale, politike etj. Por ama e gjithë kjo në kontekstin e një jetese civile duke respektuar të tjerët”, ka deklaruar ndër të tjera De Biazi.

Burini : panorama-sport