(Albanian) Xhani De Biazi, mik në shtëpinë e “Sport Plus”

Trajneri i Kombëtares në një intervistë në 360 gradë: nga kombëtarja te jeta në Shqipëri

“Mirëmbrëma të gjithëve, si jeni, mirë?”. E thënë shqip nga Xhani De Biazi tingëllon më tepër së një batutë. Trajneri i Kombëtares shqiptare ishte dje në mbrëmje rreth orës 18.00 i ftuari special në redaksinë e gazetës “Sport Plus”. Pas pritjes entuziaste nga drejtori i përgjithshëm i Kompanive “Eurolloto”, televizionit “Telesport” dhe gazetës “Sport Plus”, Enklajd Malo, tekniku italian i kuqezinjve pranoi të rrëfehej për gjithçka: Kombëtaren, kampionatin shqiptar, legjionarët, jetën e tij në Shqipëri, preferencat. Nuk mungoi humori i De Biazit me të gjithë gazetarët, e më pas edhe një set fotosh.

- Zoti De Biazi, mirëserdhët në redaksinë e “Sport Plus”, një gazetë që synon të jetë një nga protagonistet e mëdha të skenës sportive shqiptare. Si ndiheni?

- Ndihem me të vërtetë i kënaqur që vizitoj redaksinë e gazetës suaj dhe jam i lumtur që të jem miku juaj. Edhe për mua është e rëndësishme të jem sa më afër me gazetat sportive, pasi e vlerësoj komunikimin përmes tyre. Uroj që të bëheni një gazetë e madhe, të kontribuoni edhe ju në forcimin e Kombëtares përmes shkrimeve.

- A njihni gazetën tonë?

- Po. E shoh shpesh në internet. E di që shkruani shpesh për mua, madje kam postuar në adresën time edhe faqet e para kur kam qenë unë në kopertinë. Nuk janë pak, besoj. Gjithsesi, duhet ta dini se, ndjekja e gazetave sportive bën pjesë në punën time.

- Prej katër vjetësh jeni trajner i Kombëtares shqiptare. Si ndiheni në Shqipëri?

- Ndihem si në shtëpinë time. Kur vij në Shqipëri ndihem gjithmonë mirë. Kam shumë miq, si nga futbolli ashtu dhe jashtë tij. Jam me të vërtetë i kënaqur që zgjodha të bëhesha trajneri i Shqipërisë.

- Një Xhani De Biazi që udhëton shpesh midis Italisë dhe Shqipërisë….

- Futbolli i bashkon gjithmonë vendet. Por, dua të them se për pak kohë do të jem qytetar i këtij vendi.

- Një lajm me të vërtetë i bukur.

- Absolutisht (qesh).

- A do të kemi një Xhani De Biazi shqiptar para apo pas finaleve të Europianit të Francës?

- Jo, mendoj më përpara. Punë muajsh.

- Gjuha shqipe?

- E kuptoj, por më duket disi e vështirë. Mund të them qindra fjalë, por e kam të vështirë të them një frazë të tërë korrekte. Më kupton? (e thotë në shqip).

- Çfarë të ka pëlqyer më shumë?

- Ajo që më ka pëlqyer më shumë është afërsia edhe fizike midis Italisë dhe Shqipërisë. Është vetëm një copë det që na ndan. Vetëm 70 km. Dy vende që janë kaq afër. Dhe pastaj, janë mijëra shqiptarë që jetojnë në Itali ashtu si ka shumë italianë që janë këtu. Kemi ndërtuar një urë të madhe miqësie midis nesh.

- Të pëlqen Tirana si qytet?

- Po, po. Më pëlqen shumë. Ka mjaft gjallëri. Është vibrues. Ka shumë të rinj që duan të bëjnë jetë nate (qesh).

- Restoranti i preferuar?

- Nuk dua të përmend emra, por këtu gatuhet ushqim shumë i mirë. Jemi shumë të afërt si kuzhinë. Pastaj, e gjitha bota e ka ndërkombëtarizuar kuzhinën.

- Italia është shndërruar si një shtëpi për lojtarët shqiptarë. Janë shumë futbollistë që luajnë atje…

- Po, i fundit që ka ardhur është Andi Lila te Parma. Pak i pafat, pasi u dëmtua qysh në ndeshjen e parë dhe ka pasur aktivizim të kufizuar. Por, është Loriku (Cana), Etriti (Berisha), (Migjen) Basha, (Elseid) Hysaj, (Ledian) Memushaj, (Edgar) Çani gjithashtu. Po, po, kemi shumë shqiptarë, një gjë shumë e rëndësishme, por ka dhe të tjerë që luajnë në Itali dhe po dalin në dritë.

- Etrit Berisha u shpall fajtor nga Federata Italiane për kontratën me dy ekipe të njëjtën sezon. Cili është mendimi juaj?

- Më vjen keq, për Etritin. Luajti shumë mirë kundër Milanit në ndeshjen e Kupës së Italisë të martën. Tani të shohim si do të vendosë Seksioni Disiplinor i Federatës së Italisë.

- Zoti De Biazi, nga ndeshja me Armeninë na ndajnë vetëm dy muaj. Do të fitojmë?

- Sigurisht. Duhet të shkojmë në atë ndeshje shumë të përqendruar. Duhet të jenë gati të gjithë. Por, lexoj atmosferën që ka shumë ndrojtje.

- A është kjo ndeshje më e rëndësishme?

- Po, është ndeshja jonë fondamentale për ecjen tonë drejt finaleve të Euro 2016.

- Ti vetë, brenda teje, a e beson se ky do të shkojmë në Francë?

- Po, besoj. Besoj, edhe pse në fillim, siç e kam thënë shumë herë që, kemi në letër ishte shumë e vështirë. Kemi akoma një rrugë të gjatë, por së pari duhet të kalojmë pengesën Armeni. Do të kërkojmë të marrim një rezultat pozitiv. E di që të gjithë presin fitoren dhe unë besoj se do t’ia arrijmë.

- A ka skuadra kapacitetin për ta mbërritur për herë të parë në finalet e një Europiani?

-  Ne e nisëm shumë mirë, morëm katër pikë në dy ndeshjet e para: fituam në Portugali, ndërsa Danimarka na barazoi në fund. Por më pas erdhi Serbia, ndaj së cilës besoj se mund të kishim marrë pikë, por ndodhi ajo që të gjithë e dimë: humbjen në tavolinë.

- A besoni se mund ta marrim fitoren në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë?

- Nëse vendoset me drejtësi, unë them po. Shpresoj që drejtësia të shkruhet me “D” të madhe.

- Gashi u shndërrua në një çështje pak muaj më parë, ndërkohë që ai do të luajë në Ligën e Kampioneve në fazën e 1/16-ve…

- E kam thënë edhe më parë arsyen pse nuk e thirra në miqësoret e muajit nëntor kundër Francës dhe Italisë. Gjithsesi, e them për “Sport Plus” se ai do të jetë në ndeshjen kundër Armenisë.

- Taulant Xhaka u konsiderua si zbulimi i Ligës së Kampioneve nga UEFA…

- Xhaka është një lojtar që ka cilësi të mira. Është një tip që bën shumë sakrifica. Ne kemi nevojë për lojtarë që, marrin pjesë në të dyja fazat, edhe në atë sulmuese edhe atë mbrojtës. Ne nuk kemi luksin si Zvicra, bie fjala që të sulmojmë, por sot në futbollin modern mbrojnë të gjithë, shohim edhe Runin të mbrojë.

- Shumë transferime të lojtarëve shqiptarë, por dhe prezantime të mira të lojtarëve si Shala me Spartën e Pragës dhe Balaj me Rijekën…

- I kam ndjekur dhe më vjen mirë që e kanë nisur mbarë. Unë besoj që, shumë lojtarë tanë që janë qarkullim i bëjnë mirë jo vetëm atyre, por dhe futbollit shqiptar, pasi forcohet edhe mendimi se një lojtar shqiptar mund të jetë i vlefshëm në një kampionat të fortë europian.

Të bësh eksperiencë në kampionate të rinj është e rëndësishme.

-Lenjani, në Francë?

-Fola dje (të martën) me Ermirin dhe më tha se ndihet shumë i kënaqur te Renë. Për fat të keq, mori karton të kuq në ndeshjen e parë dhe ishte i skualifkuar për ndeshjen e radhës. Më tha se, trajneri ndihet i kënaqur me të.

- Balaj?

- Në fakt, më mori dikush nga Kroacia për të marrë një referencë për Balajn se, çfarë lojtari ishte Bekimi. I thashë se, prej tij jam shumë i kënaqur dhe se ishte një djalë shumë serioz. Tani te Rijeka janë të kënaqur që e kanë marrë Balajn. Jam i bindur se do të lërë gjurmë atje.

-De Biazi, ju e ndiqni shpesh futbollin shqiptar. Si e vlerësoni atë?

-Në opinionin tim, të paktën në këto vite që unë jam trajner i Shqipërisë dhe e kam ndjekur atë, ai është rritur. Janë katër skuadra që kanë nivel të mirë. Dhe këtu kam parasysh: Kukësin, Partizanin, Tiranën dhe Skënderbeun. Shpresoj që, të bëjnë paraqitje të mirë këtë vit në Europë, dhe të mos ndodhë si vitin e kaluar, kur Kukësi dhe Skënderbeu ishin të pafat ndaj kundërshtarëve të tyre. Është e rëndësishme që, të jenë një shembull i mirë për të gjithë.

- A keni parë lojtarë premtues në Superligën shqiptare?

- Ka shumë futbollistë të mirë, edhe pse nuk mund të flasim për talente të mëdha. Gjithsesi, janë lojtarë që po e bëjnë të bukur këtë kampionat. Unë kam grumbulluar gjithmonë lojtarë nga Superliga në kombëtare.

- Keni ndjekur së fundi seleksionimet e lojtarëve të moshave?

- Po, kam parë djem të rinj të talentuar, që po të punohet seriozisht me ta në sektorin e të rinjve mund të jenë një e ardhme e mirë e kampionatit shqiptar. Besoj se talentet janë, dhe po të kuron mirë nga trajnerë të mirë, natyrshëm që do të kemi edhe më shumë lojtarë nga kampionati vendas në të ardhmen do të kemi një lojtar shqiptar në Europë, po aq të vlerësuar si një futbollist në Francë apo kudo tjetër.

- Kur do të shohim një lojtar 16-17 vjeçar në Kombëtaren e madhe?

- Një lojtar 18 apo 19-vjeçar nuk e kemi akoma gati të luajë për ekipin e parë. Është ende shpejt akoma më duket. Nuk kemi kaq të talentuar dhe kaq të gatshëm për të luajtur direkt.

ERVIN BAKU

DASH FRASHËRI

Jashtë intervistës,

batuta dhe humor, por

edhe një surprizë…

“Vërtet kaq shpesh kam folur për “Sport Plus”. Do t’i marr me vete në Itali”

Nëse De Biazi të premton një gjë, ai mban fjalën. “Jam edukuar i tillë. Nuk mund të ndryshoj dot”, – thotë ai, teksa takohemi me të fillimisht te rezidenca e tij në Tiranë, hotel “Kotoni” në orën 17.50. “Hë, jam fiks, apo jo. Jam gjerman në këtë gjë, jo se italianët nuk janë të tillë”. Biseda nga hoteli te redaksia e gazetës “Sport Plus” ka shumë batuta: “Më pëlqen humori, bëj gjithmonë shumë shaka me miqtë”.  “Ej, Dash, po shumë e vështirë është kjo gjuha shqipe, ngatërrohem shpesh, kam frikë se më tallin dhe prandaj nuk e flas”. Rruga kalon përmes selisë së Kryeministrisë: “Duket bukur, apo jo”,  thotë Xhani. “S’ke parë akoma redaksinë tonë, celularin besoj e ke me kamera 16 megapixel- i them me shaka. Te hyrja e godinës ku ndodhet gazeta është Ergis Tafalla: “Ky shkruan për Tiranën”. “Ça thotë Gugash Magani, mirë e ka Tiranën?”. Në fundit të korridorit të katit te parë është restoranti “La vita e bella”. “Hë më thuaj, ja vlen të hyjmë brenda?”. Por, pak sekonda më pas jemi në katin e dytë, në redaksinë e “Sport Plus”. “Mirëmbrëma të gjithëve! Hëm,… duket sikur futesh te “Gazzetta dello Sport” këtu. Redaksi shumë moderne, e madhe dhe me shumë dritë”, – lëshon batutën Xhani me kryeredaktorin Ervin Baku. Te kendi i zgjedhur për fotografinë zyrtare ndodhet “gjahtari” Fred Hazisllari. “Bo, bo, prapë ti!”. “E po, nga prapa do të më kesh gjithmonë!”. Më pas përshëndetje më të gjithë gazetarët, një nga një. Batuta me Ed Ilnicën, Alfred Lleshin, Ardi Panën, Molgen Balenën, Genti Spirin, Klodiana Bufin, Erion Hamitajn, Blerina Rukën, Blendi Garxenajn, Ergi Lubanin, Besmir Nenaj dhe Edvin Peçin. “Ky Denisi (Hakanaj) shkruan për kampionatin italian”, – i them Xhanit. “Haha, prandaj po ecën keq futbolli në Itali”. Edhe takimi zyrtar me drejtorin e përgjithshëm Enklajd Malo nuk u shpëton batutave: “Komplimente, keni bërë një redaksi më të vërtetë të bukur. Po vij unë të punoj këtu si kryeredaktor i gazetës”. Të qeshura. Intervista bëhet pikërisht në zyrën e drejtorit, ku nuk mungojnë edhe dy fanellat e Mesit dhe Kristiano Ronaldos. “Një Mesi të kisha dhe e kisha porositur direkt çarterin për në Francë. Shyqyr që nuk e kishim Ronaldon në Portugali, ishalla mungon edhe kur të luajmë në Shqipëri”. Intervista me kryeradktorin Ervin Baku e bën me serioz, por sërish nuk i mungojnë batutat. 15 minuta më pas, fotoja zyrtare me të gjithë stafin e gazetës, e pastaj foto me të gjithë gazetarët dhe faqosësit. Për De Biazin, redaksia ka përgatitur një dhuratë surprizë: një numër gazetash ku është shkruar për trajnerin e Kombëtares. “Vërtet kaq shpesh kam folur për “Sport Plus”. Do t’i marr me vete në Itali. I ruaj prej vitesh gazetat që kanë shkuar për mua”. Midis tyre është edhe një intervistë e veçantë e Xhani De Biazit: pikërisht ajo për jetën e tij jashtë futbollit, familjen, dhe festimet e Krishtlindjeve të dhjetorit të kaluar, e botuar në “Sport Plus” në numrin e fundit të vitit. “Nuk do ta besoni, por i kam shkruar përgjigjet në orën 1 të mëngjesit. Besoj se, u kam rritur shitjen, apo jo?”. Sërish batuta dhe humor. “Doni t’ua bëj unë faqen e parë të gazetës?”….

DASH FRASHËRI