(Albanian) Kur një italian rilind… ndjenjën kombëtare të shqiptarëve

Dje në jetën e Giani de Biasit, alias Gani Abazi, të dekoruar me Urdhrin e Skënderbeut, u mbyll një epokë. Gianni personalisht u drejtoi për herë të parë kombëtaren e një vendi, të vogël shumë, e ngjiti në Evropian për herë të parë në historinë e Shqipërisë dhe u largua duke e lënë në vend të tretë pas Italisë dhe Spanjës. Le të shpresojmë se bashkë me të nuk mbyllet një epokë e lavdishme në historinë e futbollit tonë kombëtar. Kjo epokë suksesi sportiv nxiti një epokë të ngritjes dhe lartësimit të ndjenjës kombëtare tek shqiptarët, që tek futbolli gjeti motivet kryesore, por jo vetëm atje.

Po e shpjegoj më thjesht. Në vitin 2003, kur Shqipëria ende ishte nën një lloj izolimi ndërkombëtar, kur vështirë se prodhonte lajme të mira, gjendesha së bashku me Ekrem Bardhën, dhe Stan Dragotin e famshëm të spotit të New Yorkut dhe këngës së famshme me të njëjtin emër. Në një moment të bisedës, ndërsa dy patriotët modernë flisnin për bijtë e tyre dhe raportin me Shqipërinë dhe shqiptarët, Ekremi, një aktivist i hershëm i çështjes kombëtare, tha: si t’ia bëjmë që dhe fëmijët tanë, fëmijët e diasporës, ta duan kombin?Ishte një shqetësim i drejtë për fëmijët shqiptarë që lindën në Amerikë që në njëfarë mënyre është miniaturë e gjithë globit, pse atje gjenden emigrantë të të gjithë brezave, nga 192 shtete të botës, mbi tokë dhe nën tokë. I thashë diçka jo thjesht intuitive: ata nuk ndihen të lidhur me kombin pse ata nuk kanë motive aktuale, motive moderne krenarie për kombin dhe popullin e tyre, që në ballafaqim me të tjerët, në klasat e shkollës, në shoqëri, në biznese, të mburren se janë shqiptarë! Në këtë shikim pesimist i referohesha jo thjesht faktit se disa të rinj shqiptarë asokohe shkonin në Amerikë dhe kush prej tyre donte sukses, ndërlidhej me lobin grek që i mbështeste me bursa, etj. Asokohe, grekët, ndryshe nga sot, pra dhe ata që donin të ndiheshin grekë, kishin motive moderne krenarie, veç motiveve historike: kombëtarja e futbollit ishte shpallur kampion Evrope, po ashtu dhe ajo e basketbollit, projektoheshin ndërtimet e Olimpiadës së famshme dhe Greqia ishte në qendër të lajmeve të mira, veç kuzhinës, sirtarit dhe çamikosë.

De Biasi është figura që e personifikon ringjalljen e ndjenjës kombëtare shqiptare, megjithëse italian. Jo rrallë ka ndodhur që të huajt ta kenë luajtur këtë rol: e ka bërë Edit Durhami, e ka bërë Marubi, e ka bërë prifti Antonio Sharra në Zadrimën e At Gjergj Fishtës, ku ringjalli traditën e paqes, faljeve të gjaqeve, të ndërtimit, të artizanatit, të qytetërimit, etj. E pikërisht duke vlerësuar këto ngjashmëri historike, duke vlerësuar sukseset e para të tij dhe të ekipit që ai themeloi pikërisht në këtë ringjallje, e inkurajova Universitetin Europian të Tiranës, t‘i jepte titullin Honoris Causa, propozim që ky universitet e pranoi me shumë kënaqësi. Kjo pse ne binim dakord që Gianni de Biasi po e shndërronte futbollin së bashku me djemtë e tij në një sport të dashur kombëtar, duke afruar brezin e ri tek sporti, duke bashkuar në një ekip të rinj nga të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët, duke krijuar një motiv të fortë krenarie kombëtare tek të gjithë brezat. Në fjalimin falënderues për të cilin bashkëpunuam, Giani e përkufizoi thjesht meritën e tij me fjalët e Bajronit «të rreptë janë bijtë e shqipes, po vetitë nuk u mungojnë, veç të ishin më të arrira». De Biasi krijoi ekip të suksesshëm nga banda e individualiteteve me veti të pamungueshme, por që nuk ishin të arrira ende. Ai krijoi grupin, i nxiti individët shqiptarë që të jepnin më të mirën e tyre, duke larguar kokoroçët, ndonëse të talentuar, për të arritur suksesin që kombi shqiptar e priste prej kohësh diku tjetër dhe e mori në sport. Në të gjithë stadiumet e botës, ekipi i futbollit mobilizoi një tifozeri të mrekullueshme, e cila në Francë dha shfaqjen më të bukur të atij Evropiani. Ishin pikërisht djemtë e diasporës, të cilët kishin gjetur falë De Biasit, motive moderne krenarie në ballafaqimin e tyre si tifozë me moshatarët dhe që treguan në atë garë, një kokteil ndjenje të fortë krenarie kombëtare të shartuar me kozmopolitanizëm.

Prej suksesit në atë Evropian, fitores me Rumaninë, unë gjeta paralelen me Rilindjen e Kombit gjerman pas fitores së Botërorit të 1954-s, rilindje nga gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore, në formën e një dëshire që dhe shqiptarët të gjenin Rilindjen e tyre prej një suksesi futbollistik. Por jo vetëm.

Me gjasë, Rilindja reale e shqiptarëve sot të ndarë midis popullsisë që jeton në viset e veta dhe diasporës së madhe, do të marrë më shumë kohë. Me gjasë i duhen më shumë suksese si ai i Francës. Me gjasë Rilindja hëpërhë ka thjesht formën e shpërfaqjes së bukur të ndjenjës së krenarisë kombëtare, të ndjenjës së bashkimit të kombit, qoftë në fushë, qoftë në shkallët e stadiumit apo kudo në sheshet e kryeqyteteve të Ballkanit. Por le të besojmë se ekipi do të mbetet i bashkuar dhe për pasojë dhe tifozeria dhe kombi, pavarësisht përpjekjeve sportive dhe jashtësportive për ndarje në forma të sofistikuara, apo naive. Giani de Biasi që citoi Skënderbeun me historinë e thuprave që thyhen nëse janë veç e veç, dhe bëri thirrje për të mbetur të bashkuar, nuk është Skënderbe modern si e dekoroi Presidenti Nishani, por ka një meritë të njohur tashmë në këtë epokë që po përjetojmë. Ai e bëri të vetën, dhe mbase e mbylli epokën e tij të sukseseve. Tani na mbetet neve, i mbetet lidershipit politik dhe shoqëror që të gjejë forcën ta gjejë Rilindjen e vërtetë njëlloj si kombi gjerman prej gërmadhave të një lufte shkatërruese. Nëse jo, ai do të mbetet një meteor në jetën tonë dhe ne do të vijojmë në grackën e pamëshirshme të vegjetimit kombëtar.

Press Konica.al –  Nga - Mentor Nazarko -