Shqipëria ngjitet në vend të 48-të në FIFA, rekord historik

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka bërë një kapërcim rekord historik në renditjen e FIFA-s, duke ngjitur plot 16 shkallë njëherësh për muajin e fundit (prill), por edhe duke u pozicionuar në vendin e 48-të, që është arritja më e madhe e kuqezinjve tanë në këtë drejtim. Dy fitoret e fundit radhazi, 1-0 të kualifikueses me Norvegjinë në Oslo dhe 4-1 të miqësores me Lituaninë në Tiranë, kanë mundësuar këtë arritje mbresëlënëse, që gëzon tërë shqiptarët, kudo ata janë. Meritat i shkojnë pa diskutim edhe trajnerit De Biazi, nën drejtimin e të cilit kombëtarja jonë renditet në vendin e dytë të Grupit E kualifikues për momentin, pas Zvicrës, teksa ka luajtur 5 ndeshje eliminatore dhe i kanë mbetur edhe pesë të tilla deri në fund, me shpresën se ëndrra e madhe, shkuarja në finalet e Botërorit 2014, mund të bëhet realitet. Muajin e kaluar renditeshim në vendin e 64-t të FIFA-s, edhe ky një pozicion tejet pozitiv, por tashmë me 596 pikë të grumbulluara kuqezinjtë tanë fiksojnë një pozicion historik. Kemi lënë pas vetes edhe Slloveninë e grupit tonë eliminator, finaliste në Europiane dhe Botërorë të ndryshëm, që pozicionohet e 55-ta për muajin prill, ndërsa përpara kemi vetëm Zvicrën e vendit të 15-të dhe Norvegjinë e vendit të 30-të. Humbja ndaj nesh i ka shkaktuar zbritjen me një pozicion skuadrës norvegjeze. Ndërkohë, dhjetëshja e parë e kësaj renditjeje përbëhet nga emra të mëdhenj të futbollit, me Spanjën në vend të parë, të ndjekur nga Gjermania dhe Argjentina. Më tej, renditja vazhdon me Kroacinë, Portugalinë, Kolumbinë, Anglinë, Italinë, Holandën dhe Ekuadorin.
Statistikat Rekordi i renditjes para aktuales ishte: vendi i 50-të, i arritur në prill-maj 2011, në kohën kur drejtoheshim nga Josip Kuzhe. Kombëtarja pat fituar një superndeshje (paçka se jo me shumë gola) ndaj Bjellorusisë, çka i dha shumë pikë. Më pas, kombëtarja njohu vetëm ulje, aq sa në tetor, nëntor, dhjetor 2012, shkuam në vend të 84-t. Nga ky moment nisi ngritja, me arritjen deri në rekordin aktual.Revolucioni i Xhani De Biazit në Kombëtare
Xhani de Biazi e ka ndryshuar në mënyrë thelbësore Kombëtaren shqiptare. Në ndryshim total nga paraardhësi i tij Josip Kuzhe, italiani rreket më shumë të provojë lojtarë të rinj, duke kërkuar në një farë mënyre që të sigurojë të ardhmen, pa pasur “frikën” e të tashmes sikundër kroati. Kujtojmë se Kuzhe, jo vetëm në ndeshjet zyrtare për kualifikimet e Botërorit 2010 dhe Europianit 2012, por edhe në miqësore grumbullonte pak a shumë të njëjtët futbollistë. Tjetër gjë De Biazi, i cili në harkun kohor të 15 muajve ka grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren plot 18 lojtarë, nga të cilët vetëm 3 nuk kanë bërë ende debutimin. De Biazi e nisi punën pak a shumë aty ku e la ishparaardhësi i tij, Josip Kuzhe, por me një ndryshim të madh në koncept: ai ndërmori një fushatë të gjerë në Europë dhe Superiore, duke u munduar të afrojë dhe provojë sa më shumë lojtarë të rinj për ndërtimin e një skuadre sa më konkurruese jo vetëm brenda vetes, por më së shumti në përballjet me kundërshtarët. Kështu, duke filluar që nga Etrit Berisha, Enea Koliqi, Erjon Dushku, Elseid Hysaj, Mërgim Mavraj, Renato Arapi, Alban Meha, Burim Kukeli, Bruno Telushi, Migjen Basha, Valdet Rama, Hair Zeqiri, Erjon Vucaj, Mërgim Brahimi, Armando Vajushi, Bekim Bala, Erjon Vucaj, Armando Sadiku e deri te Edgar Çani, janë që të gjithë lojtarë të thirrur në përfaqësuese për herë të parë nga italiani dhe një pjesë e mirë e tyre kanë bërë tashmë edhe debutimet me kuqezinjtë (vetëm Enea Koliqi, Erjon Dushku dhe Erjon Vucaj të cilët, ndonëse janë grumbulluar me kuqezinjtë nga De Biazi, nuk kanë bërë ende debutimin në Kombëtare). Në total, deri tani nga ana e De Biazit janë grumbulluar 43 lojtarë.Shqipëria, rrugëtimi drejt Botërorit “Brazil 2014″
Nëse do mund të riluanim (gjë që s’ndodh) Shqipëri-Islandë, sot do ishim në krye të grupit. Gjithsesi, duhet thënë se edhe me renditjen aktuale Shqipëria e De Biazit është një realitet historik, pasi asnjëherë më parë nuk kishim arritur të renditeshim kaq lart pas pesë ndeshjeve të para. Madje, pas pesë ndeshjesh, në gjithë historinë e vet, Shqipëria nuk kishte shkuar dot as në vend të tretë, çka të bën të besosh te kjo skuadër. Sakaq, takimet më të forta, dhe ato që konsiderohen si çelësi i suksesit për të shpresuar të paktën te një përballje vajtje-ardhje “play-off” për në Brazil, janë ndaj Norvegjisë më 7 qershor dhe ndaj Islandës në Reikjavik, më 10 shtator. Nëse do marrim rezultat edhe në këto dy ndeshje, me shumë gjasa do jemi minimalisht të dytët në grupin tonë. Fryt i lojës së mirë të skuadrës së De Biazit është në fakt edhe ngritja historike në renditjen FIFA.

De Biazi: U përlota për arritjen
Disa trajnerë kanë fat, disa përfitojnë se drejtojnë lojtarë të mëdhenj si Ronaldo apo Mesi. De Biazi nuk kishte asnjë nga këta dy elementë, kur vendosi të firmoste për Shqipërinë. Përkundrazi, mori në dorëzim një skuadër me probleme dhe të pakompletuar. Sot, Shqipëria është në vendin e dytë në grup dhe ka arritur një klasifikim historik në renditjen e FIFA-s. “Jemi të 48-ët në botë dhe jam emocionuar tej mase. Të them të drejtën, nuk e kisha menduar se do të mbërrinim kaq shpejt këtu, por ama kisha besuar gjithnjë”, shprehet De Biazi për “Panorama Sport”.
Mister, jemi në vendin e 48-të, çfarë do të thotë kjo për ju?
Kur mora telefonatën nga Federata Shqiptare e Futbollit se kishim mbërritur në vendin e 48-të në renditje (sepse kur e mora skuadrën ishim në vendin e 77-të), u lumturova tej mase. U lumturova deri në përlotje, sepse për mua puna në Shqipëri është realisht shumë e rëndësishme.
Kush ju telefonoi i pari pas këtij lajmi?
Përveç Denisit (Bastari), nuk më ka marrë ndonjë tjetër. Por kaq mjaftonte.
Duka nuk ju ka kontaktuar, apo qoftë edhe ndonjë mesazh urimi?
Jo, as Duka dhe as ndonjë tjetër. Por unë mendoj se është më mirë kështu, sepse nuk duhet të na marrë koka erë dhe të fluturojmë më shumë sesa duhet.
Cana me Bogdanin nuk ju kanë dërguar ndonjë SMS?
Jo, asnjëri, por kam përshtypjen se nuk do jenë në dijeni të lajmit, sepse në të kundërt do kishin reaguar.
Sa larg mund të shkojë Shqipëria?
Ne nuk i kemi vënë asnjëherë vetes sonë limite. Kemi thënë se duam të marrim maksimumin. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përulur, sepse jemi vetëm në gjysmën e rrugës.
Jemi të 48-ët në renditjen e FIFA-s, jemi të dytët në grup dhe, pas pesë ndeshjesh, kemi 9 pikë. A është momenti për të diskutuar për të ardhmen tuaj?
Mbase, nuk e di. Së pari duhet të fokusohemi te ndeshja me Norvegjinë dhe të mos e marrim me shumë eufori, por as me shumë frikë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të guximshëm.
Ju keni dëshirë të rinovoni?
Unë e kam thënë hapur se kam dëshirë të rinovoj, por kjo nuk varet nga unë. Varet nga vullneti i të dyja palëve. Nuk e di nëse Federata ka pasur ndonjë kontakt me menaxherin tim, por sinqerisht nuk kam qenë i fokusuar në këtë aspekt. Për mua, gjëja më e rëndësishme është që t’ia dalim mbanë në ndeshjen me Norvegjinë.
Nëse Duka ju fton të uleni, ju do ta pranoni?
Sigurisht që po.
Cila është gjëja më e vështirë që keni bërë qëkur keni ardhur në Shqipëri?
Nuk mendoj se ka pasur ndonjë gjë shumë të vështirë, sepse mbështetja ka qenë e madhe. Mbase vëzhgimi dhe ndjekja nga afër e disa talenteve ka qenë disi e lodhshme, por ka pasur edhe kënaqësinë e saj.
Cila është gjëja më e thjeshtë që keni bërë?
Të firmosja për Shqipërinë.
Çfarë nuk ju ka pëlqyer deri tani?
Nuk më ka pëlqyer kur një lojtar i kombëtares ka hyrë në fushë dhe është vërshëllyer nga tifozët e tij (i referohet portierit Ujkani). Kjo nuk është e drejtë dhe nuk i shërben skuadrës. Tifozët, që realisht janë të mrekullueshëm, duhet të jenë të kujdesshëm, sepse bëhet fjalë për lojtarët që përfaqësojnë një klub të tërë dhe jo skuadrën rivale të një qyteti tjetër. Kjo i bën edhe lojtarët të mos ndihen mirë dhe ndikon në harmoninë e tyre me grupin.
Ju keni drejtuar shumë skuadra. Shqipëria me cilën prej tyre ju ngjan?
Me Modenën. Ajo skuadër u ndërtua mirë dhe u ngjit nga Seria C në Serinë A.

Fonte: Panorama Sport