Tifozët mahnisin De Biazin: Italinë e mundëm në tribuna

Trajneri italian i kombëtares kuqezi, De Biazi, ka mbetur përgjithësisht i kënaqur nga miqësorja me axurrët, edhe pse i iku për pak nga duart një barazim historik në të parën përballje me 4 herë kampionët e Botës. Ai ka mbetur vecanërisht i mrekulluar nga tifozët kuqezi në stadiumin e Xhenovas, që ishin dominues total. “Të paktën arritëm t’i mundim në tribuna italianët dhe besoj se gjithçka shkoi mirë, – u shpreh De Biazi. – Ishte një ndeshje që e luajtëm mirë. U mposhtëm, por nga fusha nuk dolëm të humbur. Besoj se skuadra po ecën në rrugën e duhur. Ajo që u pa në shkallët e stadiumit ishte një festë e vërtetë futbolli. Ne, shqiptarët, ishim në superioritet. Dhe në këtë aspekt u bë një festë e madhe. Besoj se dhuruam një paraqitje pozitive. Jam i kënaqur nga ndeshja. Ua thashë edhe djemve këtë gjë dhe në pjesën e parë mund të bënim diçka më shumë. Gabuam shumë me daljet me top dhe kjo na penalizoi. Paguam ndeshjen e luajtur 4 ditë më pare, por ky nuk është shkak për t’u justifikuar. Nuk ishim të saktë në disa momente të veçanta dhe duhet të jemi pak më të vëmendshëm. Kuptohet, nuk më pëlqen të humbas, edhe pse në një ndeshje miqësore. Në 11 ndeshjet e fundit kemi pësuar vetëm 5 gola, një e dhënë pozitive për një skuadër që kërkon të rritet.”

Panorama Sport