De Biazi: Në Botëror do të bëja tifo vetëm për Shqipërinë

TIRANE - Xhani de Biazi, i cili drejton prej më shumë se një viti kombëtaren shqiptare, ndan me “Summer Pages” detaje nga jeta e tij dhe sigurisht emocionet e “Botërorit 2014”. Ai e përshkruan Shqipërinë si një vend të bukur dhe shqiptarët si njerëz me dëshirë të madhe për punën, por edhe për ta kaluar kohën në harmoni. Megjithatë, “Gjenerali” pranon se të punosh këtu nuk është krejt e lehtë, pasi siç thotë ai, “shqiptari ka ritmet e veta”. De Biazi po e ndjek këtë Botëror dhe është vendosur në kahun e Italisë, përderisa kombëtarja jonë nuk garon për Kupën e Botës. “Për Italinë është sfidë çdo ndeshje që pason”, shprehet trajneri. Ai është i martuar, baba i një vajze dhe megjithëse ka shumë vite karrierë, njëherësh vazhdon të ketë ëndrra të mëdha. “Gjenerali” do të donte që një ditë të drejtonte Real Madridin. I gatshëm për të ndarë me lexuesin eksperiencën e tij, De Biazi bën parashikime edhe për finalen e Kupës së Botës. Më poshtë mund të lexoni se cilat skuadra do të triumfojnë këtë Botëror, sipas trajnerit të kombëtares shqiptare.
E kujtoni herën e parë që keni vizituar Shqipërinë? Çfarë menduat atëherë për vendin tonë?
Në Shqipëri kam ardhur për herë të parë kur do të firmosja kontratën time të parë. Ishte dimër dhe atë ditë binte shumë shi, ndaj përshtypjet e para nuk ishin edhe aq pozitive.
Keni ndryshuar mendim gjatë qëndrimit këtu?
Me kalimin e kohës, njeriu e sheh shumë më mirë realitetin. Gjatë qëndrimit tim këtu kam pasur mundësinë që t’i vizitoj pothuajse të gjitha qytetet e Shqipërisë. Tirana ka bukuritë e veta, sidomos natën kur në lokalet e qendrës ndizen dritat dhe ka gjithmonë një atmosferë tejet të veçantë.
Cili është qyteti që iu ka pëlqyer më shumë?
Qyteti që më ka pëlqyer më shumë është Berati. Më kanë lënë mbresa kodrat e bukura me shtëpitë që shohin për nga lumi dhe me kështjellën në majë. Berati më duket qyteti që ka arritur të ruajë më së miri ndërtesat historike që ka.
Çfarë është gjëja që iu pëlqen më shumë nga Shqipëria?
Dëshira e madhe e shqiptarëve për të jetuar, për t’u rritur e për të ecur përpara dhe për të kaluar kohën në harmoni.
Si është të punosh me shqiptarët? I pranojnë lehtësisht urdhrat?
Kemi mentalitete krejtësisht të ndryshme. Në fakt, unë nuk kënaqem kurrë me punën dhe përpiqem të kuroj edhe detajet më të vogla. Ndërsa shqiptari ka ritmet e veta…
A ishit në dilemë kur rinovuat kontratën një vit më parë? Jeni lodhur ndonjëherë sa për të hequr dorë?
Gjithmonë kam menduar që kur e merr në dorë një punë, ka patjetër nevojë për vazhdimësi. Pastaj mua sfidat e “pamundura” më tërheqin dhe më stimulojnë.
Po familja ju ka kërkuar ndonjëherë të hiqni dorë nga kjo punë?
Jo, kurrë! Ata e dinë që jeta ime është dhe do të jetë në këtë lloj ambienti, ndaj s’mund të ma kërkojnë këtë.
Ankohet familja juaj për mungesat e gjata? Pse nuk e merrni me vete edhe bashkëshorten në Tiranë?
Le të themi që si gruaja ime, ashtu edhe vajza jonë kanë shumë punë për të bërë në Itali. Pastaj unë kthehem shpesh në shtëpi, kështu që mungesa ime nuk ndihet aq shumë. Ato janë mësuar dhe nuk ankohen.
Çfarë u tregoni miqve tuaj në Itali për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Përpiqem t’i tregoj mbi dëshirën e shqiptarëve për punën. U flas për përpjekjet e tyre për të përmirësuar kushtet e jetesës, në mënyrë që t’i afrohen sa më shumë që të jetë e mundur Europës.
Me siguri po e ndiqni kampionatin botëror dhe bëni tifo për Italinë. Mendoni se Italia ka shanse të fitojë Botërorin? Pse?
Këtë nuk e di dhe nuk dua ta them. Mendoj që në ndeshjen e parë, atë të fillim ishim shumë mirë. Kemi nisur pa marrë rolin e skuadrës favorite dhe kjo mund të na ndihmojë të ecim përpara. Megjithatë, mendoj se në këtë kampionat ka skuadra me potencial më të fortë se e jona, por ne kemi gjithmonë me vete Prandelin.
Cila është ndeshja më e vështirë që kjo skuadër duhet të përballojë sipas jush?
Gjithmonë ndeshja që do të pasojë, pra ajo e radhës.
Nëse në Botëror do të luante edhe Shqipëria, ju për cilën skuadër do të bënit tifo?
Për Shqipërinë pa asnjë dyshim!
Sipas jush, kush do të shpallet golashënuesi më i mirë i Botërorit?
Nuk e di. E kam të vështirë të them një emër. Po përmend dy prej lojtarëve që unë i kam stërvitur vetë, Sanchez që luan me Kilin dhe Cuadrado që luan për Kolumbinë.
Sa shanse mund t’i japë Kristiano Ronaldo Portugalisë?
Humbën ndeshjen e fillimit përballë një skuadre të madhe siç është Gjermania, por kam besim se janë një skuadër shumë e mirë dhe e kanë pagur tashmë nervozizmin e Pepes.
Vlerësoni më shumë Kristiano Ronaldon apo Messin? Në një përballje midis Portugalisë dhe Argjentinës, kush do të fitonte sipas jush?
Si fillim më duhet të ve në dukje se asnjë lojtar nuk mund ta fitojë ndeshjen i vetëm. Është falë punës së të gjithë skuadrës që talenti i tij bie në sy dhe bën diferencën. Nuk dua të vendos grada midis Ronaldos dhe Mesit, pasi të dy megjithëse krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetrin, janë shumë të fortë.
Cilat skuadra mendoni se do të shkojnë në finalen e Botërorit?
Mendoj se finalja e këtij Botërori do të ndahet midis këtyre skuadrave: Brazili, Argjentina, Gjermania, Italia, dhe Kolumbia.
Ju vetë luani me baste?
Nuk kam vënë kurrë baste në jetën time dhe është diçka që nuk më ngjall aspak interes. Për mua emocionet e një ndeshjeje janë krejt të tjera.
Cilat janë problemet më të mëdha të futbollit shqiptar?
Janë disa të tilla, mungesa e objekteve të mirëfillta sportive, një shkollë për të formuar trajnerë dhe sidomos një këmbëngulje konstante dhe e vazhdueshme për të arritur objektivat.
Do e rinovoni sërish kontratën me Shqipërinë?
Kontrata ime me Shqipërinë skadon në fund të vitit 2015. Deri atëherë ka kohë plot për t’u menduar e për të marrë një vendim.
Cilën skuadër ëndërroni të drejtoni në të ardhmen?
Ëndërroj të drejtoj Realin e Madridit (qesh).
Pushimet e kësaj vere ku do t’i kaloni?
Kur nuk do të më duhet më të jem vërdallë për punë, do të shkoj të pushoj në shtëpinë time që kam në Sardenja.

Kush është Xhani de Biazi…
Xhani de Biazi, i lindur në Sarmede, provincë e Trevisos është një ish-lojtar dhe trajner italian. Karrierën si futbollist profesionist e ka nisur tek Interi, por nuk ka arritur të luajë asnjë ndeshje zyrtare me ta. Pavarësisht kësaj, për 15 vjet është aktivizuar në Serinë A me Rexhinën dhe Breshian. Karrierën si trajner e ka nisur në vitin 1990 me ekipet e moshave tek Bosano dhe Viçence. Në vitin 1992 debutoi si trajner i parë në stolin e Vasteses, në Serinë C2 italiane. Në vitin 2000 u emërua te Modena, ku shfaqi edhe të gjitha cilësitë teknike. De Biazi arriti ta ngrinte klubin nga Seria C1 deri në kampionatin elitar italian brenda dy sezonesh, ndërsa në vitin 2002 fitoi çmimin “Bankina e Argjendtë” në Itali, duke u renditur pas Fabio Kapellos. Në vitin 2003 u largua nga Modena për të punuar te Breshia, ku pati mundësinë të drejtonte Roberto Baxhon, ndërsa u largua nga detyra në sezonin 2004-‘05. Më tej ai mori drejtimin e stolit të Torinos, duke e kthyer skuadrën në Serie A, por u largua pa zhvilluar asnjë ndeshje të sezonit 2006-‘07. Në shkurt të 2007-ës, klubi “Granata” e riktheu në vend të Alberto Zakeronit dhe skuadra siguroi mbijetesën mes më të mirëve. Në edicionin 2007-‘08, De Biazi u emërua te Levante në La Ligan spanjolle, por për shkak të krizës financiare dhe largimit të disa lojtarëve kryesorë në afatin kalimtar të janarit, nuk arriti t’i siguronte ekipit mbijetesën. Pavarësisht këtyre problemeve, Levante regjistroi disa fitore befasuese, ndërsa në një prej numrave të gazetës “AS” italiani u vlerësua si trajneri më i mirë i kampionatit. Në prill 2008, strategu u emërua sërish te Torino, ku e drejtoi skuadrën për 15 javë përpara se të shkarkohej nga detyra, ndërsa më 22 dhjetor 2009 te Udinese në vend të Paskuale Marinos. Por, duke qenë se ‘Friulianët’ nuk po paraqiteshin mirë, De Biazi dha dorëheqjen në shkurt të 2010-ës. Prej asaj periudhe ka punuar si komentator sportiv për ndeshjet e Europa League dhe Serisë A. Në Itali, De Biazi vlerësohet si një trajner i cili është taktikisht shumë i zoti, ndërsa seancat stërvitore që ai organizon cilësohen një art në vete. Ai njihet ndryshe edhe si një “gjeneral” në kuptimin e mirë të fjalës, pasi kërkon të ketë kontrollin mbi dhomat e zhveshjes dhe të vendosë rregulla që ndihmojnë në forcimin e grupit. Është i martuar dhe ka një vajzë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)