FIFA e zyrtarizon: Shqipëria e 22-ta!

Mbajeni mend 6 gushtin. FIFA sot ka zyrtarizuar dhe e ka renditur Kombëtaren kuqezi të Shqipërisë në vendin e 22-të në botë!

Pas suksesit historik të Skënderbet mbrëmë në “Elbasan Arena”, sot djemtë tanë kuqezinj të Kombëtares së Shqipërisë, kanë arritur një tjetër rekord historik për futbollin shqiptar, të pakrahasueshëm me asnjë tjetër deri më tani.

Në renditjen e fundit të FIFA-s, botuar sot, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Xhani De Biazi, kanë bërë një kapërcim historik duke u renditur në vendin e 22-të për muajin gusht, ndërkohë që një muaj më parë renditeshim në vendin e 36-të.

Fitorja 1-0 ndaj Francës, marrja e 3 pikëve në tavolinë nga CAS për ndeshjen ndaj Serbisë, të mohuara padrejtësisht nga UEFA, kanë bërë që Kombëtarja jonë të “fluturojë me katapultë” 14 vende menjëherë në renditjen botërore të FIFA-s, që nuk tregon as më pak dhe as më shumë, veç progresin e futbollit shqiptar në skenën e madhe të futbollit ndërkombëtar.

Tashmë Shqipëria i ka dy përfaqësuesit e saj. Kombëtaren kuqezi të Xhani De Biazit që po përpiqet t’u bëjë realitet shqiptarëve ëndrrën për të qenë në finalet e Euro 2016 në Francë, por edhe Skënderbeun e Mirel Josës, që pasi siguruar ndeshjet në grupe në Europa League, do të tentojë të ngjitet në “teatrin” elitar të Champions League.

Nuk ka më bukur. Dy histori suksesi, që i bashkon futbolli shqiptar!

fifa

 

sportal.al