“Bekim” kuqezi në Aveiro, Shqipëria shokon Portugalinë
E pabesueshme, por e vërtetë. Shqipëria triumfon në Aveiro kundër Portugalisë së mbushur me yje, por që i mungoi “Topi i Artë”, Kristiano Ronaldo. Bekim Bala nuk i ka lënë gjë mangut yllit të Realit të Madridit me atë gol të mrekullueshëm që realizoi në minutën e 53-të, që lumturoi shqiptarët kudo ku janë, anembanë botës. Një skuadër që vuri zemrën në fushën e lojës, duke superuar sulme të pafundme të skuadrës së Bentos, e cila nuk arriti të mposhtë Etrit Berishën, një “qershi mbi tortë” në këtë sfidë hapëse të fushatës kualifikuese për “Euro 2016”. Kuqezinjtë e De Biazit marrin tri pikët e para në Grupin I, duke qenë në të njëjtën “gjatësi vale” me Danimarkën, e cila përmbysi në fushën e vet Armeninë.
Kujtojmë se De Biazi kishte mungesa të rëndësishme nga pjesa e titullarëve të edicionit të shkuar kualifikues, si Meha, Migjen Basha, Edgar Çani dhe Armando Sadiku, por ka operuar me elementë të tjerë, të gatshëm për të kontribuar me fanellën e kombëtares. Veç të tjerëve, edhe të rikthyer pas disa kohësh (Kukeli), ndaj Portugalisë figuronte dhe një lojtar debutues: Taulant Xhaka. Koeficienti i vështirësisë ishte i madh për tanët, mjafton të kemi parasysh vetëm një fakt: Në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, Portugalia është në vendin e 11-të me 1152 pikë, ndërsa Shqipëria në vendin e 70-të, me 437 pikë. Në favorin tonë ishte vetëm mungesa e “Topit të Artë” në fuqi, Kristiano Ronaldo, i cili ka probleme lëndimi dhe nuk i është bashkuar luzitanëve për këtë eliminatore startuese në Grupin I.