(Albanian) Lista, De Biazi fton 24 lojtarë për Portugalinë

Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka publikuar mesditën e së shtunës listën e 24 lojtarëve që ka thirrur për ndeshjen e parë kualifikuese në Grupin I të “Euro 2016”, ndaj Portugalisë. Kjo sfidë do të luhet më 7 shtator në “Municipal de Aveiro”, në orën 20:45, duke shënuar startin e fushatës kualifikuese të kuqezinjve tanë. Sikurse dihet, Shqipëria ka rënë në një grup të vështirë me pesë skuadra, ku bëjnë pjesë edhe Portugalia, Danimarka, Serbia dhe Armenia.
Në listën e publikuar nga trajneri italian bien në sy jo pak ndryshime, këto të diktuara edhe nga mungesat e detyrueshme për shkak dëmtimesh. Kështu, Migjen Basha, Armando Sadiku dhe Alban Meha nuk mund ta ndihmojnë kombëtaren në këtë transfertë të vështirë, sepse janë jashtë veprimit edhe me skuadrat  tyre, duke u rikuperuar nga lëndimet. Po ashtu, një tjetër titullar i padiskutueshëm i kuqezinjve, Valdet Rama, nuk është ftuar, pasi vetëm një ditë më parë arriti të nënshkruante me një skuadër të re, Mynih 1860. Duke qenë pa praktikë loje, De Biazi nuk ka besuar te lojtari virtuoz me topin dhe mjaft teknik. Rikthim në kombëtare bën Ervin Bulku, që ka munguar në sfidat e fundit miqësore, ndërsa për herë të parë vjen Taulant Xhaka. Një futbollist ky i pajisur me pasaportë shqiptare prej kohësh, por për shkak dëmtimesh nuk ka mundur të debutojë akoma me Shqipërinë. Ndoshta ndeshja me Portugalinë ia mundëson një gjë të tillë lojtarit të Bazelit.
E reja është në sulm dhe mban emrin e Bekim Balajt. Shkodrani nuk e ka për herë të parë grumbullimin me kombëtaren, megjithatë nuk mund të thuhet se ka qenë përherë zgjedhje e De Biazit (hera e fundit kur është thirrur daton në nëtor 2013, në miqësoren kundër Bjellorusisë). Konfirmohet në radhët e kuqezinjve edhe sulmuesi kavajas, Sokol Cikalleshi, që tashmë është transferuar në kampionatin kroat, ashtu si edhe Debatik Curri, mbrojtësi prishtinas, që iu është bashkuar bardhebluve në sezonin e ri.
I shumëdiskutuari Emiljano Vila, lojtari i Partizanit, për të cilin De Biazi tha se ka bërë hapa pas me rikthimin në kampionatin shqiptar, e ka rujatur vendin e vet në kombëtare. Pra, pavarësisht polemikave që shkaktoi emri i tij, asgjë nuk ka ndryshuar në këndvështrimin e trajnerit të kombëtares. E vecanta tjetër ka të bëjë me rikthimin e Burim Kukelit në ekipin tonë përfaqësues. Lojtari në fjalë ka kaluar një dëmtim të rëndë dhe prej shtatorit 2012 nuk ka qenë më pjesë e kombëtares. Mesfushori i FC Zyrih ka luajtur 4 ndeshje me Shqipërinë dhe është rikthyer të aktivizohet me skuadrën e tij, ndaj edhe De Biazi e ka thirrur për kualifikuesen e parë në grup.
Prurje e re, që ftohet për herë të parë në kombëtaren e madhe, është edhe ajo e Herolind Shalës. Lojtari në fjalë deklaroi kohët e fundit se nëse Shqipëria nuk ka nevojë për të, atëherë do të marrë në konsidëeratë aktivizimin me Norvegjinë, ku luan dhe ka shënuar disa gola të rëndësishëm së fundi. Ai ka veshur fanellën e ekipit Shpresa dhe tashmë i jepet mundësia të tregojë veten me përfaqësuesen e madhe. Në mbrojtje nuk figuron Loret Sadiku, lojtari i shumëdiskutuar, i cili kërkoi garanci nga menaxheri i kombëtares, Alban Bushi, për të qenë titullar i padiskutueshëm. Gjë e cila nuk është pranuar nga stafi drejtues i kuqezinjve, ndaj mesa duket është hequr përfundimisht dorë prej tij, edhe pse u bë cmos për ta pajisur me pasaportë shqiptare. Pjesa tjetër e lojtarëve të thirrur janë të njohur dhe kanë qenë rregullisht nën urdhërat e De Biazit në miqësoret dhe ndeshjet e kaluara zyrtare.
De Biazi - Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Xhani de Biazi, ka zhvilluar të enjten në sallën e konferencave të Federatës Shqiptare të Futbollit konferencë për shtyp me mediat shqiptare në lidhje me fillimin e Eliminatoreve të Kampionatit Europian, “Francë 2016”. Ai është shoqëruar në këtë konferencë për shtyp nga menaxheri i skuadrës kombëtare Alban Bushi. Duke e vlerësuar si mjaft të fortë grupin eliminator, De Biazi konfirmoi se objektivi parësor për skuadrën është kualifikimi i mundshëm në Europian, por çdo gjë duhet parë hap pas hapi, duke vlerësuar çdo ndeshje të veçantë. Sa i takon Portugalisë, trajneri kuqezi e vlerësoi atë si një skuadër shumë të mirë, e cila pas dështimit në Botëror ka të gjithë dëshirën dhe grintën për t’u ringjitur në nivelet më të larta të futbollit në kontinent. “Ne do të shkojmë atje për të luajtur shanset tona. E dimë mire se ata do të kërkojnë ta zgjidhin çështjen e rezultatit sa më shpejt të jetë e mundur. Por ne do të përpiqemi të mbyllim hapësirat dhe ta godasim në befasi,” – u shpreh De Biazi, duke mos përjashtuar mundësinë që Shqipëria të arrijë rezultat pozitiv në këtë ndeshje të vështirë.

Ja lista e kombëtares
1.Etrit Berisha
2.Orges Shehi
3.Ansi Agolli
4.Lorik Cana
5.Debatik Curri
6.Elseid Hysaj
7.Emir Lenjani
8.Andi Lila
9.Mergim Mavraj
10.Amir Abrashi
11.Ervin Bulku
12.Ergys Kace
13.Burim Kukeli
14.Taulant Xhaka
15.Emiljano Vila
16.Bekim Balaj
17.Sokol Cikalleshi
18.Shkelzen Gashi
19.Jahmir Hyka
20.Edmond Kapllani
21.Odise Roshi
22.Hamdi Salihi
23.Armando Vajushi
24.Herolind Shala

Burimi: panorama-sport.com